Komisioneri i BE për Politika të Fqinjësisë dhe Negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, bëri thirrje të premten ne parlamentin e Kosovës për zgjidhje politike të problemeve dhe kundër çdo forme të dhunës. Në një fjalim para deputetëve ai tha se duhet respektuar institucionet që janë themeluar për qeverisjen demokratike.
“Dhuna nuk ka vend në sistemin demokratik”, tha ai duke nënvizuar se “respektimi i parimeve demokratike do të thotë që qeveria mund të sjell propozime dhe ju do të keni rastin të debatoni për to, pa ndonjë pengesë në këtë shtëpi, e që është parlamenti”.
Derisa komisionari Hahn po fliste në parlament, lëvizja vetëvendosje shpalosi parullat në të cilat shkruhej: "A është segregacioni etnik vlerë e BE-së?!" dhe "Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!"
Ishte kjo hera e tretë për më shumë se një muaj e gjysmë që partitë opozitare morën pjesë në një seancë të parlamentit, të cilin janë duke e bllokuar në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në muajin gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u jepet një shkallë e gjerë autonomie si dhe kundër marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Kundërshtimi i këtyre marrëveshjeve çoi edhe në skena dhune ne parlament ku pati në disa raste edhe gaz lotsjellës.
Diplomatët euro – perëndimorë dhe përfaqësuesit e institucioneve vendase po u bëjnë thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga bllokimi i punës së parlamentit dhe të kërkojnë zgjidhje brenda tij për situatën e krijuar në vend.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dërgoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e diskutueshme.
Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova, ndërkaq përfitoi Marrëveshjen e e Stabilizim Asociimit me BE-në që u ratifikua të hënën në parlamentin e Kosovës.
Komisioneri Hahn e vlerësoi shumë të rëndësishme këtë marrëveshje ndërsa shprehu besimin se në fund të këtij viti, Komisioni Evropian do të japë rekomandimin pozitiv për Kosovën për përfshirjen e saj në regjimin e udhëtimit pa viza në zonën Shengen.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë pa viza në këtë zonë.