Të dielën, më 24 mars, mbushen njëzet vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s për të ndalur fushatën e spastrimit etnik të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, Kosova përjetoi një varg ngjarjesh të rëndësishme: spastrimi etnik mori fund, forcat serbe u detyruan të largohen, filloi një proces stabilizimi me ndërtimin e institucioneve dhe më në fund ajo u shpall shtet i pavarur. I gjithë ky proces filloi me fushatën e bombardimeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Ilir Zherka, njëri prej atyre që në atë kohë lobonin për Kosovën në Kongresin amerikan, kujton dinamikën e ngjarjeve në Uashington. Ai u intervistua nga kolegu ynë Ilir Ikonomi.
Ilir Zherka drejton Aleancën për Shkëmbimet Ndërkombëtare në Uashington. Njëzet vjet më parë, kur filluan bombardimet e NATO-s, ai ishte drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), një organizatë që përfaqësonte komunitetin e shqiptarëve të Amerikës. Bashkë me kolegët, ai përpiqej të bindte anëtarët e Kongresit që qeveria amerikane të ndërhynte për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë.
"Ne mendonim se kjo ishte një detyrë thuajse e pamundur, pra se qeveria amerikane nuk do të ndërhynte kurrë ushtarakisht. Por nga ana tjetër besonim se kjo duhej bërë, sepse ishte me rëndësi vendimtare. Përndryshe njerëzit në Kosovë do të vriteshin dhe Kosova do të zbrazej nga shqiptarët. Prandaj u gëzuam shumë kur dëgjuam se kishin filluar bombardimet. Nga ana tjetër kishim edhe frikën se njerëzit tanë në Kosovë mund të masakroheshin," tregon zoti Zherka.
Ai thotë se organizata e tij kishte kohë që kërkonte një ndërhyrje ushtarake amerikane në Kosovë, por nuk e kishte të qartë se çfarë forme mund të kishte kjo ndërhyrje:
“Kur filluan bombardimet isha në Kapitol duke u takuar me anëtarë të Kongresit. Mësuam se ç'po ndodhte me anë të telefonave dhe të lajmeve. Ua dhamë lajmin edhe shqiptaro-amerikanëve të tjerë që ishin në sallë dhe menjëherë shpërthyen thirrjet e gëzimit."
“U thashë njerëzve të mbledhur aty: Në sajë të përpjekjeve tuaja dhe të anëtarëve të Kongresit, çlirimi i Kosovës ka filluar!”
Zoti Zherka kujton se në kohën kur filluan bombardimet, komuniteti shqiptaro-amerikan kishte krijuar tashmë lidhje mjaft të forta në Uashington, sidomos në Kongres.
"Ne dhe komuniteti angazhoheshim në shumë aktivitete. Dilnim nëpër televizione për të argumentuar se përse ishte e nevojshme ndërhyrja, takoheshim me gazetarë dhe me redaktorë, merrnim pjesë në diskutime me ekspertë, takoheshim me njerëz në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë. Pra bënim sa të ishte e mundur në pritje të atij momenti."
Zoti Zherka thotë se gjendja në Kongres në kohën e bombardimeve ishte e ndërlikuar.
“Kongresi sapo kishte kaluar nëpër procesin e ngritjes së akuzave për shkarkimin e Presidentit Clinton, i cili më pas do të gjykohej në Senat. Çështja ishte nëse presidentin do ta hiqnin nga posti, prandaj tensionet mes dy partive ishin tepër të larta. Jo të gjithë republikanët ishin në favor të ndërhyrjes, por edhe demokratët nuk ishin të gjithë në favor.”
“Më kujtohet kur bashkë me kolegun Avni Mustafa ecnim nëpër korridoret e Kongresit dhe takonim kongresmenë republikanë që na thoshin: Nuk do ta mbështes luftën e Presidentit e tuaj.”
Por, tregon ai, megjithë vështirësitë që kishte presidenti, u gjendën disa aleatë të rëndësishëm që shfaqën mbështetje. Ai përmend sidomos ligjvënësit Gordon Smith, Mitch McConnell dhe Sue Kelley.
Zoti Zherka tregon për takimin që komuniteti shqiptar pati me Presidentin Bill Clinton pak ditë pas fillimit të bombardimeve.
“U takuam me të në Shtëpinë e Bardhë në fillim të prillit. Në atë kohë, synimi ynë ishte që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të merrte mbështetje, të furnizohej me armë dhe që qeveria amerikane të shihte mundësinë për të dërguar trupa në terren.”
Duke i hedhur një vështim fushatës së bombardimeve që filloi para 20 vjetëve, zoti Zherka thotë se ky ishte vendimi i drejtë jo vetëm për Kosovën por edhe për vetë Shtetet e Bashkuara.
“Kur Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime që parandalojnë gjenocidin, ato krijojnë kushtet e duhura për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe demokracinë dhe, kur nuk e bëjnë këtë, ndodh e kundërta."
"Në Kosovë, për shembull, me të përfunduar fushata e bombardimeve, njerëzit mundën të kthehen në shtëpitë e tyre. Një milion njerëz u kthyen brenda një kohe të shkurtër. Bashkë me spastrimin etnik mori fund edhe përpjekja destabilizuese e Serbisë, sepse ata përpiqeshin të destabilizonin Shqipërinë dhe Maqedoninë. Pra, përpjekja për të nxitur një krizë refugjatësh dështoi. Në fund, fushata e bombardimeve çoi në pavarësinë e Kosovës."
Zoti Zherka thotë se në atë kohë pati edhe shumë aktorë të tjerë të rëndësishëm, si sekretarja e shtetit Madeleine Albright, komandanti i NATO-s Wesley Clark, ambasadori William Walker si dhe ajo që bënë në terren vetë shqiptarët, siç ishte UÇK-ja dhe njerëz të tjerë që rrezikuan jetën.
Ai thotë se komuniteti shqiptaro-amerikan në vitet 1990 ishte i jashtëzakonshëm dhe shqiptarët në Ballkan e kudo në botë i kanë një borxh të madh diasporës në Shtetet e Bashkuara gjatë asaj dekade.
“Diaspora këtu mblodhi para për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe mbështeti institucionet e pavarura të Kosovës për shumë vite. Dhe, kur u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shqiptaro-amerikanët e mbështetën atë me para por edhe me njerëz që shkuan atje të luftojnë.”
Facebook Forum