Lidhje

Isa Mustafa i infektuar nga koronavirusi


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njoftoi se është infektuar me koronavirus. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, ndërsa theksoi se “përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim to të jem i izoluar”.

Edhe një numër deputetësh të parlamentit të Kosovës janë prekur nga koronavirusi në një periudhë kur vendi po vazhdon të përballet me shtim të numrit të të infektuarve dhe rritje të numrit të viktimave.

Mbrëmë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha deri tani numri i viktimave që nga fillimi i pandemisë arriti në 94, dhe vetëm në 24 orët e fundit tetë persona humbën jetën, ndërsa 207 nga 401 të testuar dolën se janë të infektuar.

Kosovë: Tetë viktima dhe 207 raste të reja me COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha sot se përkeqësimi i situatës rëndon sistemin shëndetësor të vendit.

Për këtë arsye po bëjmë thirrje, ju lutem mbajini distancën, mbajeni higjienën, mbani maskat që ta ruajmë edhe personelin shëndetësor edhe ashtu sistemi është ngarkuar këto ditë në klinikat tona edhe në spitale rajonale, nëse na rrezikohen edhe profesionistët shëndetësorë atëherë do të jetë një problematikë e madhe”, tha ai.

Zoti Zemaj kërkoi respektim të masave në mënyrë që të shmangen masat ndëshkuese.

Këto janë thirrjet tona dhe angazhimet tona mbi të gjitha të gjitha duhet ta bëjmë punën nga pak që sadopak të ketë një disiplinë, kulturë, etikë dhe moral sepse vetëm me masa ndëshkuese nuk do të ishte e dëshirueshme as për ne as për qeverinë e Kosovës por as Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike që masat të respektohen vetëm me ndëshkime apo gjoba e dënime administrative apo penale”, tha ministri Zemaj.

Rastet e së enjtes e çuan në 4 mijë e 307 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, nga të cilët deri tani të shëruar janë shpallur 2 mijë e 95 raste, ndërsa 2 mijë e 118 mbeten raste aktive.

Që nga 1 korriku, në Kosovë janë regjistruar 43 vdekje si pasojë e infektimit me koronavirus, disa prej të cilave po hetohen nga organet e rendit.

Zyrtarë evropianë kritikuan partitë politike në parlamentin e Kosovës që nuk po arrijnë të merren vesh për të ratifikuar pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare në vlerë prej 253 milionë eurosh, që do të ndihmonin edhe në përballjen me pandeminë.

Ambasadori gjerman në Kosovës, Christian Heldt tha sot se nuk e kupton qasjen e partive politike.

Këto para janë këtu për të ndihmuar për rimëkëmbjen e Kosovës nga pasojat socio-ekonomike nga covid dhe këto para janë po ashtu për të mbështetur sistemin shëndetësor. Pra nuk e kuptoj parlamentin dhe në këtë rast të gjitha partitë politike që të mos bëhen bashkë në këtë situatë. Në të gjithë botën po përballemi me pasojat e covid-it dhe këtu Kosova nuk bën përjashtim dhe ju mund të dilni jashtë krizës vetëm me bashkëpunim, pra ky do të ishte mesazhi im për politikën për partitë, ju lutem bashkohuni sepse nuk është për vetën tuaj por për popullin dhe vendin tuaj”, tha ambasadori Heldt.

Miratimi i marrëveshjeve të tilla kërkon votat e dy të tretave të deputetëve të parlamentit.

Mospajtimet politike pamundësuan edhe miratimin e një projektligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID – 19, i hartuar që në muajin prill të këtij viti. Projektligji që është nismë e kryetares së parlamentit, Vjosa Osmani dhe disa deputetëve, nuk po mbështetet as nga qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e së enjtes, qeveria tha se e vlerëson të panevojshme miratimin e projektligjit, me arsyetimin se ligjet e zbatueshme në Kosovë e rregullojnë në mënyrë të mjaftueshme fushën e luftimit dhe të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë.

Kryeministri Avdullah Hoti pritet që të raportoj të premten në parlamentin e Kosovës për gjendjen me koronavirus. Partitë politike kanë kritikuar qasjen e qeverisë kundruall situatës.

Qeveria e Kosovës tashmë sërish ka rikthyer disa nga masat për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve në qytetet më të prekura të vendit, ka shkurtuar numrin e të punësuarve në institucione dhe ka kufizuar veprimtaritë e restoranteve dhe kafeneve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG