Lidhje

Kosova në pritje të gërmimeve në një varrezë të dyshuar masive në Serbi


Nga një tubim i familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë
Nga një tubim i familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë

Në Kosovë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha është në pritje të caktimit të një date nga institucionet e Beogradit, për vazhdimin e gërmimeve në Kizhevak, të Rashkës në Serbinë jugperëndimore, ku besohet se ka një varrezë të dyshuar masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Drejtuesi i këtij komisioni, Kushtrim Gara, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, tha se pas caktimit të datës nga zyrtarët serbë, do të vazhdojnë gërmimet vlerësuese, “për zhvarrosjen e mbetjeve mortore, pastaj identifikimin e tyre, riatdhesimin për në Republikën e Kosovës dhe kthimin apo dorëzimin e eshtrave te familjet e personave të identifikuar, në përpjekjen e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës që të respektohet e drejta e familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur dhunshëm”.

Ai thotë se tash për tash është herë të flitet për numrin e viktimave që mund të gjinden në Kizhevak. Gjetjet pasuan pamjet satelitore, të mundësuara nga bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare të përfshira në këtë proces, tha zoti Gara.

Përgjatë vitit 2020 janë kryer kërkime në gjashtë zona brenda territorit të Kosovës.

“Katër lokacione brenda hapësirës së varrezave të besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës, një lokacion në fshatin Polanë në komunën e Istogut dhe një lokacion në fshatin Syriganë, komuna e Skenderajt, ku janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore te të paktën 9 personave, viktima të luftës”, tha zoti Gara.

Edhe 21 vjet pas luftës, në Kosovë ende nuk dihet asgjë për fatin e një mijë e 643 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e rreth 800 shqiptarëve të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG