Lidhje

Dorëhiqet i dërguari i Kosovës në Beograd – MPJ propozon zevendësimin


Zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci, dha dorëheqje nga ky post vetëm dy ditë pas fillimit të punës.

Në një letër dërguar presidentes së Kosovës, ai thekson se jep dorëheqje të pakthyeshme nga shërbimi diplomatik i Kosovës.

Arsye e dorëheqjes time është mospajtimi dhe kritika që më është bërë nga z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës në lidhje me deklaratën time në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njeh pavarësinë e vendit tone”, thuhet në letrën e zotit Peci.

Ai më tej shpreh bindjen se sic thuhet “politika shtetërore e vendit tonë në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por si po duket kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës”.

Ministria e jashtme e Kosovës nëpërmjet një komunikate për opinion shpjegoi se zoti Peci ishte propozuar të shkarkohej nga detyra për shkak të sic thuhet, veprimeve që bien ndesh me punën e përfaqësuesit të Kosovës.

Në njoftim thuhet se kjo ministri I ka “kuptuar lëshimet e tij për disa vite si ish-ambasador në Suedi, por veprimet e tij në raport me përfaqësimin në Serbi, kanë ndikim të madh në zhvillimin politik të raporteve në mes të dy shteteve, popujve tanë dhe më gjerë. Qëndrimi i tij njëditor dhe kthimi i menjëhershëm në Prishtinë, adresimi në konferencë për medie në gjuhën e vendit ku ka shkuar dhe jo vendit që përfaqëson, takimet e paautorizuara me përfaqësues të shtetit të Serbisë dhe pretendimi i tij për qëndrime politike personale kanë tejkaluar kompetencat, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me sjelljen e tij e që lidhen me sigurinë shtetërore, të cilat ende nuk janë për opinion publik, nuk kanë paraqitur përfaqësuesin e denjë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë së jashtme të Kosovës, e cila tashmë ka propozuar ambasadorin aktual të Kosovës në Zagreb, Valdet Sadiku për të marrë postin e lënë bosh nga zoti Peci.

Të hënën, në Prishtinë dhe në Beograd, filluan punën zyrtarët e parë ndërlidhës ndërmjet të dyja vendeve.

Shkëmbimi i zyrtarëve është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian.

Zyrtarët do të jenë të ngarkuar me lehtësimin e komunikimve ndërmjet të dyja vendeve në funksion të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Dy muaj më parë, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, u pajtuan me një marrëveshje, ndërsa me 22 maj hartuan edhe një plan të zbatimit të saj, i cili nuk ka filluar ende.Të enjten ata pritet të takohen sërish në Bruksel për të diskutuar rrugët e zbatimit të saj.

Marrëveshja u siguron serbëve në veriun e Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë, veçanërisht në fushën e policisë dhe gjyqësisë.

Fillimi i zbatimit të saj në terren është kusht për përparimin e të dyja palëve në proceset e integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG