Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se janë duke vazhduar diskutimet rreth lidhjes me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).
Ai i bëri këto komente në parlamentin e Kosovës i pyetur nga deputetët rreth debateve të ditëve të fundit, nëse qeveria ka hequr dorë nga një projekt i tillë.
Kryeministri Kurti tha se gjatë pesë muajve të fundit janë zhvilluar pesë takime të nivelit të lartë me përfaqësuesit e lartë të MCC-së, dhe po as punëtori në nivelin teknik.
“Gjatë të gjitha këtyre takimeve ne kemi shtruar pyetje dhe kemi diskutuar për analizë preliminare financiare të investimit, në veçanti qartësimin se cila do të ishte kostoja totale, çfarë pjese do të ishte grant e sa do të duhej të marrim kredi si shtet, kush do të ndërtonte dhe operonte me termocentralin dhe me çfarë kushte dhe mbi të gjitha çfarë implikimesh do të kishte prodhimi i energjisë elektrike nga gazi në tarifat që do t’i paguanin qytetarët dhe bizneset sepse atë energji do të duhet ta paguaj dikush në fund”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se vendimet e tilla “definojnë sektorin e energjisë për gjeneratat e ardhshme prandaj ne jemi të përkushtuar që t’i marrim dhe analizojmë të gjitha të dhënat, informatat dhe opsionet në mënyrë që ta marrim vendime mirë të informuara e të duhura duke marr parasysh përfitimet dhe koston për taksapaguesit dhe për konsumatorët e energjisë. Për neve kjo nuk është vonesë, kujt i duket vonesë le ta kuptoj që është përgjegjësi dhe seriozitet. Nuk merren kuturu e shpejt e shpejt vendime kaq të mëdha”.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë, i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë duke vazhduar diskutimet me qeverinë e Kosovës nëse ajo do ta mbështesë propozimin e MCC-së.
Facebook Forum