Lidhje

Përleshje në Prishtinë – ndalohet e më pas lirohet Albin Kurti


Veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje u përleshën me policinë pas ndalimit të deputetit të saj Albin Kurti, i cili u lirua rreth mesnatës.

Policia e Kosovës hodhi gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë grupe veprimtarësh të lëvizjes Vetëvendosje që u hodhën në protesta pas ndalimit të deputetit të kësaj lëvizjeje Albin Kurti.

Zoti Kurti u ndalua mbrëmjen e së hënës pas zhvillimeve të javës së kaluar në parlamentin e Kosovës, kur zoti Kurti hodhi gaz lotsjellës për të penguar seancën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë.

Lëvizja Vetëvendosje tha se disa veprimtarë të saj janë lënduar gjatë përleshjeve me policinë e cila provoi të shpërndajë protestuesit që hodhën gurë mbi stacionin e policisë në Prishtinë. ku po mbahet zoti Kurti. Policia tha se shtatë pjesëtarë të saj janë lënduar, ndërsa tre persona janë shoqëruar në polici.

Disa makinave u është vënë zjarri, ndërsa kontejnerë mbeturinash janë përdorur si barrikada nga protestuesit e lëvizjes Vetëvendosje të cilëve ju bashkuan edhe përfaqësues të partive tjera opozitare. Ata akuzuan policinë për siç thuhet, rrëmbimin e zotit Kurti.

Përleshje në Prishtinë pas ndalimit të deputetit Albin Kurti
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë dhe shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Sipas marrëveshjeve të 25 gushtit serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha. Opozita është shprehur e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës. Të tri partitë opozitare, thanë të premten se “shteti është në rrezik”.

Drejtuesit e institucioneve vendase dhe ambasadat euro-perëndimore dënuan veprimet e opozitës duke i bërë thirrje asaj që të heq dorë, siç thuhet, nga përdorimi i dhunës si taktikë politike.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar në një darkë joformale, javën e ardhshme, kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi do të mbahet më 13 tetor dhe sipas zyrës së zonjës Mogherini synon të shqyrtojë përparimin në zbatimin e marrëveshjeve dhe vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve.

XS
SM
MD
LG