Lidhje

Bashkësia Islame e Kosovës reagon ndaj publikimit të karikaturave të revistës Charlie Hebdo


Bashkësia Islame e Kosovës reagoi të hënën kundër ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, pasi që ai shpërndau një artikull të gazetës franceze “Le Figaro”, në të cilin ishin përdorur karikaturat e Profetit Muhamed të revistës “Charlie Hebdo”.

Në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës thuhet se “ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë”.

Në reagim thuhet se populli shqiptar “njeh për vlerë kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin, bashkëjetesën e harmoninë ndër fetare, që është shembull edhe për popujt e tjerë. Harmonia ndër fetare që ne kultivojmë me shekuj mund të jetë shembulli i mirë edhe për popujt dhe shoqëritë tjera. Këtë shembull të mirë e vlerë të kombit tonë do të duhej ta ndiqte edhe ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e jo të bëj të kundërtën, dhe me veprimet e tij t’i kontribuoj mos durimit e urrejtjes me bazë fetare”.

Bashkësia Islame i kërkoi ministrisë së Jashtme që të distancohet nga veprimi i ambasadorit Gashi, ngase sipas saj, “me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare”.

Ambasada e Kosovës në Paris e kontaktuar nga Zëri i Amerikës, nuk komentoi reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Bashkësia Islame me këtë rast dënoi “aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona mos të përdorën për urrejtje e mos durim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri”.

Të paktën 11 vetë janë ndaluar nga policia franceze lidhur me vrasjen e së premtes në periferi të Parisit, të mësuesit Samuel Paty. Në mesin e të ndaluarve janë të afërm të një 18-vjeçari, refugjat nga Çeçenia i identifikuar nga zyrtarët si Abdoullakh A., i cili u qëllua për vdekje nga policia pak pasi kishte ekzekutuar me prerje koke viktimën.

Të premten ai vrau mësuesin e historisë, pasi ai kishte treguar në klasë karikatura të Profetit Muhamed, thanë prokurorët. Shumë myslimanë e shohin çdo shëmbëlltyrë të profetit si ofendim ndaj besimit të tyre.

Incidenti ndodhi më pak se një muaj pasi një imigrant pakistanez sulmoi me thikë dy persona para redaksisë së vjetër të revistës Charlie Hebdo në Paris.

Në të dyja rastet duket se autorët reaguan ndaj botimit të karikaturave të Profetit Muhamet. Sulmet u ndërmorën ndërkohë që në Paris vazhdon gjyqi lidhur me sulmet e vitit 2015 në redaksinë e revistës Charlie Hebdo, gjatë të cilit u vranë 12 veta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG