Lidhje

Limaj: Ligji duhet respektuar edhe kur ju godet


Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj thotë se synimi i partisë së tij është rimëkëmbja ekonomike, ndryshimi i qeverisjes dhe forcimi i shtetit ligjor

Më tetë qershor në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike të të gjitha komuniteteve janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri Amerikës nga sot fillon një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj thotë se synim i partisë së tij është rimëkëmbja ekonomike, ndryshimi i formës së qeverisjes dhe forcimi i shtetit ligjor.
Intervistë me Fatmir Limajn
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:58 0:00


Zëri i Amerikës: Zoti Limaj, ju sapo keni filluar rrugëtimin tuaj drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe është një kohë mjaft e shkurtër midis themelimit të Nismës suaj dhe këtyre zgjedhjeve. Çfarë prisni prej tyre?

Fatmir Limaj: Ju i përmendët ato dhe është e vërtetë që ne për një kohë të shkurtër jemi themeluar dhe menjëherë ka ardhur koha e fushatës elektorale dhe natyrisht kjo paraqet vështirësi për një subjekt të ri politike. Por, megjithatë, duke parë atë që kemi parë në terren, nevojën dhe dëshirën e qytetarëve për ndryshime, mospajtimin e qytetarëve me gjendjen aktuale dhe e kanë kthyer si domosdoshmëri nevojën për të pasur freski dhe ndryshime në këtë qeverisje të deritanishme, ne presim që Nisma për Kosovën të jetë një befasi e këndshme në Parlamentin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Dhe pse një qytetar i Kosovës duhet të votojë për Nismën?

Fatmir Limaj: Së pari, vendi ka nevojë për një qasje tjetër ndaj shtetit, politika tjera ndaj shtetit. Ju keni parë premtime të ndryshme që sot po shfaqen anekënd Kosovës. Nisma për Kosovën mendon që gjëja më e rëndësishme në vendin tonë është ndryshimi qasjes ndaj institucionit, ndaj shtetit, ndaj qytetarit, ndaj institucionit të pavarur dhe futjen e një filozofie ndryshe. Në nuk zbulojmë asgjë, por vetëm të kthehemi tel ligji, tek institucionet, duke i respektuar ato ligje që i kemi nxjerrë, duke respektuar pavarësinë e institucioneve, duke deleguar përgjegjësitë nëpër institucione dhe jo duke e identifikuar shtetin me individin.

Zëri i Amerikës: Çka i ofroni konkretisht qytetarit të Kosovës?

Fatmir Limaj: Atë që e thashë – transparencën. Ndryshimi i qasjes dhe një mentalitet qeverisës demokratik i cili kontrollohet nga institucionet dhe vendimmarrja kthehet aty ku duhet – tek qytetarët, ose te përfaqësuesit e qytetarëve. Qytetarëve të republikës i kthejmë një politikë tjetër ekonomike, dmth Kosova ka nevojë të tejkalojë një politikë kaotike. Në mungesë të një programi ekonomik ka krijuar një kaos. Gjendja ekonomike në vend është jashtëzakonisht e rëndë, pothuajse alarmante. Çdo ditë kemi shtim të varfërisë. Thjeshtë qytetarët e Kosovës dhe vet shteti i Kosovës është kthyer në një shtet mbijetese. Në mbijetojmë. Një familje kosovare sot mbijeton, madje vet shteti i Kosovës mbijeton duke mos pasur hapësira të reja, duke mos ofruar investime të reja, duke mos ofruar mundësi qytetarëve. Ajo që ne u premtojmë qytetarëve të vendit tonë është kthimi i mundësisë dhe shpresës për të ecur më mirë. Dhe kjo përsëri përmblidhet në ndryshimin e qasjes ndaj vetes sonë, ndaj shtetit tonë. Dhe mbi të gjitha, Nisma për Kosovën tenton që përmes programit të saj ekonomik të transformojë ekonominë e Kosovës nga një ekonomi kaotike e pambrojtur, e pa stimuluar, e egër, që shteti e ka lënë në stihi, të kthejmë në ekonomi prodhuese e këmbyer me shërbime. Dmth ekonomi prodhuese – shërbyese që do të hapte perspektiva dhe mundësi të reja për gjeneratat e reja që të kenë perspektivë në vendin e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Limaj, ju personalisht por edhe një pjesë e bashkëpunëtorëve tuaj keni qenë pjesë e pushtetit në Kosovë kur keni pasur fuqinë për të bërë këto ndryshime. Përse nuk e shfrytëzuar atë rrugë?

Fatmir Limaj: Atëherë kur kemi qenë, e kemi bërë. Besoj se pikërisht kjo është karta jonë. Kur ne e kemi pasur hapësirën dhe mundësinë dhe ju e dini, kemi bërë transformime të mëdha. Bile mendoj se kanë qenë transformime të papara në regjion, sepse ne atëherë kemi ditë dhe kemi guxuar të marrim vendime të rëndësishme për vendin tonë në sektorët që kemi pasur. Dhe pikërisht ajo duam të bëjmë është kjo: t’i kthehemi vetvetes, t’u japim përparësi njerëzve që punojnë, njerëzve që e duan punën dhe janë të gatshëm të marrin vendime për të realizuar projekte të mëdha. Dhe pikërisht atë po e bëjmë. Ju shikoni katër vitet e fundit. Për katër vitet e fundit kjo qeverisje nuk ka arritur asnjë projekt serioz ta hapë ose ta mbyllë. Për katër vitet e fundit ne kemi zvogëlime të biznesit. Vetëm muajt e fundit, sipas statistikave zyrtare, mbi 65e biznese janë mbyllur. Kjo nënkupton mbyllje të vendeve të punës, kjo nënkupton të ardhura më pak në buxhetin e Kosovës, kjo nënkupton zbehje të atmosferës për të investuar dhe me këtë logjikë dhe me këto statistika, ju dilni e premtoni vende të reja të punës, tregon që deri tani kemi parë një qasje joserioze, më tepër sesa joserioze të institucioneve ndaj ekonomisë dhe në tërësi ndaj vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Limaj, më herët e përmendët çështjen e sundimit të ligjit, një çështje me të cilën ju jeni përballur një kohë të gjatë. A është kjo përballje dëshmi se po vendoset sundimi i ligjit në Kosovë?

Fatmir Limaj: Ajo që thatë ju është dëshmi që ka njerëz që këtu e respektojnë ligjin dhe ka njerëz që këtu e duan ligjin dhe ka njerëz që pavarësisht a është e drejtë apo e padrejtë, tregojnë se ku mbrohet e drejta apo padrejtësia. Është vetëm një vend. Respektimi i ligjit dhe gjykatat. Dhe aty është vendi ku ju e nxirrni krejt atë që keni me thënë. Mua më vjen mirë që unë jam shembull konkret i asaj që pavarësisht e drejtë apo e padrejtë, jam njeri që vazhdimisht i jam përgjigjur dhe i kam respektuar ligjet dhe vendin tim, sepse në fund të fundit kjo është detyrë e çdo qytetari. E mbi të gjitha, të atyre që quhen si personalitete publike. Shpresoj të shërbejë si shembull edhe për të tjerët, sepse, nuk mjafton vetëm të thirresh në emër të ligjit “askush mbi ligjin”. Por edhe atëherë kur ligji ju godet ose nuk ju godet edhe me të drejtë edhe me të padrejtë, kur ju thërret ligji ju duhet t’i përgjigjeni në mënyrë dinjitoze si qytetar dhe si njeri i qytetëruar i këtij vendi.

Zëri i Amerikës: Zoti Limaj, çështja e sundimit të ligjit, sa herë që shtrohet për t’u diskutuar përfshinë zakonisht edhe situatën në veriun e Kosovës ku ka filluar një farë procesi i integrimit nëpërmjet bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse vini në pushtet, çfarë do të jetë qasja juaj ndaj këtij procesi?

Fatmir Limaj: Qasja jonë është bisedime, takime, diskutime, gjetje të rrugëve të bashkëpunimit fqinjësor, gjetja e rrugës së bashkëpunimit dhe integrimit të të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Kjo është qasja dhe ne pa pushim do të punojmë në këtë drejtim. Mirëpo, asnjëherë dhe për asnjë rast duke mos rrezikuar integritetin tonë, duke mos rrezikuar sistemin unik të drejtësisë së këtij vendi, duke mos rrezikuar sistemin unik të sigurisë së këtij vendi dhe integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi. Çdo gjë tjetër, në çdo kohë dhe në çdo moment, ne do të vazhdojmë që të ndërtojmë ura të komunikimit dhe bashkëpunimit me vendet fqinje, duke respektuar interesat e secilës palë veç e veç.

Zëri i Amerikës: Më lejoni të kthehem të urat e komunikimit brenda Kosovës. Nëse hyni në parlament, me kënd e shihni veten më afër?
Fatmir Limaj: Nisma për Kosovën ka dalë para qytetarëve me një koncept dhe me nevojën për ndryshim. Ne mendojmë që interesi i vendit tonë është sot të kemi një ndryshim në qeverisje. Jo vetëm në Kosovë edhe në Ballkan, Shikoni, klasat politike në rajon shumë kanë nevojë të freskohen herë pas here. Do të ishte e dëmshme për vendin tonë që të vazhdohet më një elitë politike ose me një grupacion politik për tetë vite e më tepër sesa tetë vite. Kjo qeverisje edhe sikur të kishte qeverisur mire për tetë vite, ka nevojë të shkojë sepse nevoja e vendit është për ndryshim. Prandaj, koncepti i nismës dhe ajo me të cilën Nisma ka dalë para qytetarëve të Kosovës është se kërkon votën për ndryshim. Dhe natyrshëm në, dhe kjo është ajo që na dallon nga të tjerët, do t’u qëndrojmë vlerave dhe parimeve tona, Nisma për Kosovën edhe nesër në parlament do të mbështesë një qeverisje ndryshe nga ajo që ka qenë deri sot.

Zëri i Amerikës: Dhe kjo qeverisje ndryshe po të marrim pjesëmarrjen e deritashme të partive në pushtet, gati që mbetet vetëm një parti...?

Fatmir Limaj: Jo nuk mendoj që është ndryshe. Pjesëmarrja e partive të tanishme në pushtet s’ka asnjë qeverisje ndryshe. Është vazhdim i një qeverisjeje dhe si e tillë nuk do të ishte në shërbim dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Dhe Nisma për Kosovën, nuk do të jetë pjesë e një qeverisjeje e cila e ka një mentalitet ose e ka një sjellje ndaj shtetit siç e ka pasur për këto katër vitet e fundit.

Zëri i Amerikës: Atëherë me kë do t’ju mbetej bashkëpunimi?

Fatmir Limaj: Atëherë me të gjitha forcat tjera politike me të cilat do të na bashkonte programi. Nisma për Kosovën, nuk e e sheh imperativ jetësor qeverisjen. Nisma për Kosovën i ka disa parime të cilave u beson. Në qoftë se e kemi një program të përbashkët, nëse zotimet që i kemi shfaqur para qytetarëve do të shihen dhe do të gjejnë vend në atë program qeveritar, natyrisht nisma do të jetë pjesë e një qeverisjeje të tillë. Por, në qoftë se nuk do t’i ketë këto hapësira për të cilat po flas, atëherë zëri i Nismës do të vazhdojë të jetë i fuqishëm në shërbim dhe interes të qytetarëve, të atyre që na kanë votuar në parlamentin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG