Lidhje

Jacobson: Zgjidhja është te zyrtarët e zgjedhur


Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson mbështetë këshillimet e presidentes së Kosovës për zgjidhjen e situatës politike në vend

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, tha të premten se gjetja e një zgjidhjeje për formimin e institucioneve u takon vetë autoriteteve të Kosovës.

Gjatë një ceremonie mbështetëse për Ministrinë e Punëve të Brendshme ajo tha se “Zgjidhja është tek zyrtarët e zgjedhur, të cilët janë zgjedhur me votat qytetarëve të Kosovës”.

Ambasadorja Jacobson si dhe diplomatët e tjerë perëndimorë thonë se nuk do të ndërhyjnë në procesin e formimit të institucioneve. Ajo shfaqi shpresën për një zgjidhje, ndërsa theksoi se përkrahë plotësisht “procesin e këshillimeve që është duke bërë presidentja”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, filloi sërish të premten një seri këshillimesh me udhëheqësit e partive politike në kërkim të një rrugëdaljeje për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetë qershorit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në fund të muajit gusht, shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet. Por, kjo parti nuk ka vota të mjaftueshme.

Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, kanë krijuar një koalicion pas zgjedhjeve dhe pretendojnë se shumica parlamentare e përbërë prej tyre mund të formojë institucionet.

XS
SM
MD
LG