Lidhje

Plagoset zëvendësshefi i zyrës së Kosovës në veri


Persona të panjohur, kanë plagosur mbrëmë me armë zjarri zëvendësshefin e Zyrës administrative të Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës tha se një zyrtar i institucioneve të Kosovës është plagosur në një sulm të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe. Sipas policisë persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri zëvendësshefin e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, Dushan Milisavleviç.


Policia tha se ai është qëlluar nga një veturë në lëvizje e cila është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia tha se ka marrë në pyetje disa dëshmitarë dhe është vënë në përpjekje për të ndriçuar rrethanat dhe motivet e këtij incidenti i cili po trajtohet si “tentim vrasjeje”.

Sulmi nxitit reagimin e shefes së Zyrës Administrative në Veri, Adriana Hoxhiq, e cila e ka dënuar ashpër këtë incident. Sipas saj në shënjestër të sulmit ishin edhe tre punonjës tjerë të zyrës së saj. Ajo tha se sulmet e tilla janë të papranueshme, ndërsa bëri thirrje për ndriçimin e incidentit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

I plagosuri edhe më parë kishte qenë shënjestër e sulmeve te armatosura. Tri shpërthime kanë ndodhur në oborrin e shtëpisë së tij gjatë këtij viti dhe sipas familjarëve të tij, ishin sulme për shkak të angazhimit në institucionet e Kosovës.

Dy shpërthime kanë ndodhur gjatë javës ne veri dhe të dyja ishin të drejtuara ndaj projekteve të zyrës administrative të themeluar nga qeveria e Kosovës, autoriteti i së cilës nuk njihet dhe nuk pranohet në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha sot se qetësia dhe qëndrueshmëria në veri nuk u shkon për shtati, siç tha ai, strukturave kriminale në veri dhe për këtë arsye ata do të përdorin mënyra të tilla për të mbajtur të tensionuar situatën atje.

Sipas tij, shtrirja e sovranitetit të Kosovës, në komunat veriore nuk është një mjedis i përshtatshëm për strukturat e tilla, prandaj ata do të përdorin mënyra të ndryshme që të prodhojnë tensione në pjesën veriore të Kosovës.

Të hënën në njërin nga vendkalimet kufitare veriore me Serbinë, pritet të fillojë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit që për një pjesë të përfaqësuesve serbë në veri është e papranueshme për shkak se siç thuhet, me këtë po njihet kufiri i Kosovës së pavarur.

Veriu i Kosovës pritet të jetë temë e bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG