Lidhje

Intervistohet imami i Prishtinës


Prokuroria e posaçme e Kosovës intervistoi imamin Shefqet Krasniqi, i shoqëruar në polici gjatë një operacioni të enjten në mëngjes

Në Kosovë, policia tha se ka zhvilluar një operacion në vazhdimësi të operacioneve të muajit gusht për arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në luftërat në Siri e Irak dhe nxitje për t’ju bashkuar atyre luftërave.

Intervistohet imami Shefqet Krasniqi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Policia tha se e operacioni i kontrolleve është kryer në rajonet e Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit, Pejës dhe Prizrenit.

Ky operacion policor ka rezultuar me shoqërimin e një personi nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

I shoqëruari është Shefqet Krasniqi, imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, që është xhamia më e madhe nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Imami, Shefqet Krasniqi, është përfolur shpeshherë për fjalime e qëndrime nxitëse, madje emri i tij qe përmendur edhe në raportin e Departamentit Amerikan të shtetit mbi liritë fetare në botë.

Prokuroria e posaçme e Kosovës, tha se janë marrë në pyetje disa persona, në mesin e të cilëve edhe Imami Shefqet Krasniqi, të cilët pas intervistimit janë liruar, ndërsa prokuroria e posaçme e Kosovës do të vazhdojë hetimet sipas procedurës se përcaktuar me ligj.

Policia tha se gjatë operacionit të sotëm janë bastisur dy Organizata joqeveritare, një shtëpi private dhe shtatë konvikte banimi, ndërsa është duke vazhduar intervistimi i disa personave që ndërlidhen me vendet e bastisura. Policia ka konfiskuar dëshmi si pajisje elektronike dhe materiale të ndryshme që ndërlidhen me veprën penale, thuhet në një njoftim të saj.

Muajin e kaluar policia arrestoi mbi 40 persona nën dyshimet për vepra penale, ”organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, nxitje të urrejtjes përçarëse ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, rekrutim për terrorizëm, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Një pjesë e tyre dyshohet si ishin përfshirë në luftimet në Siri dhe në Irak dhe njëherësh kanë vepruar përkrah organizatave të shpallura terroriste, siç janë, Al Nusra dhe Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit.

Operacioni i filluar më 11 gusht ishte me i madhi deri tash pas shqetësimeve në rritje për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po u bashkohen militantëve në Siri e Irak. Askush nuk e di numrin e saktë të tyre, por shërbimet e zbulimit pohojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se të paktën 16 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Operacioni u mirëprit nga institucionet vendase e ndërkombëtare si dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës e cila bëri thirrje kundër atyre që përkrahin e nxisin gjuhë të urrejtës, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizim të besimit.

XS
SM
MD
LG