Organizata ndërkombëtarë për Mbrojtjen e të drejtave të njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, Human Rights Watch, thekson në raportin vjetor se përparimi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovës ishte i ngadalshëm gjatë vitit.
Në raportin e publikuar të enjten, thuhet se udhëheqësit e Serbisë dhe të Kosovës, në muajin gusht publikuan një plan kundërthënës për “rivizatimin e kufijve” si pjesë e një marrëveshjeje paqësore në mes të dyja vendeve.
Plani, thuhet në raport, nxiti shqetësime për të drejtat e njeriut për shkak të shkëmbimit të popullatës që duhej të ndodhte sipas atij plani.
Raporti përshkruan ngjarjet kryesore të vitit 2018 përfshirë ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një nga kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Raporti veçon vonesën e fillimit të punës së Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë për shkak të ndërrimit të prokurorit të posaçëm.
“Gazetarët u përballën me kërcënime e frikësime dhe ndjekja e krimeve kundër tyre ishte e ngadalshme. Tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës kanë vazhduar, posaçërisht në veri. Komunitetet rome, shkali dhe egjiptase, kanë vazhduar të përballen me diskriminim”, thuhet në raport.
Raporti e cilëson të dobët reagimin ndaj dhunës në familje që sipas tij, mbetet e përhapur në Kosovë. Po ashtu aty veçohet edhe gjuha e urrejtjes kundër veprimtarëve për të drejtat e komunitetit LGBT, shkallën e ultë të kthimit të të zhvendosurve si dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në muajin mars, me kërkesë të Ankarasë.
Facebook Forum