Lidhje

Hooper: Kosova në OKB, të jetë pjesë e bisedimeve


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan takimin e dytë në Bruksel, duke rënë dakord për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. Për ekspertët, vazhdimi i bisedimeve në nivel politik ishte diçka e pashmangshme.

Por James Hooper i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Politikat thotë se tani janë pjekur kushtet për një zgjidhje përfundimtare, të mbëshetur tek sovraniteti i secilit vend, me marrëveshje territoriale të përcaktuara dhe fqinjësi të mirë. Zoti Hooper thotë se Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni duhet ta kuptojnë që dritarja është e



“Në këndvështrimin tim duhet të ketë një paketë marrëveshjesh, sipas së cilës Veriu mbetet nën sovranitetin e Prishtinës, por të ketë një lidhje të ngushtë me Serbinë dhe ndoshta një marrëveshje të natyrës së Shengenit për kufirin, si edhe autonomi të plotë për banorët serbë të veriut”, thotë zoti Hooper.

Por ai shton se duke pasur parasysh se për arsye pragmatike si gjendja ekonomike dhe integrimi evropian, Serbia është e interesuar për zgjidhje serioze, paketa duhet të jetë më ambicioze.

“Duhet të përfshijë anëtarësim në Kombet e Bashkuara për Kosovën. Nuk do të thotë që Serbia të njohë Kosovën, sepse do të ishte e tepërt ta kërkoje këtë. Por nëse Serbia e tërheq kundërshtimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe merr përgjegjësinë të bindë Rusinë që të abstenojë dhe të mos ta bllokojë një gjë të tillë në Këshillin e Sigurimit, kjo do të ishte një alternativë e pranueshme në pamundësi të njohjes së pavarësisë dhe kjo do të ishte e kënaqshme”.

Gjatë vizitës së saj në rajon, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton tha se nuk pritet nga Serbia që të njohë Kosovën. Megjithatë Ivan Vejvoda, nënpresident për programet në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, thotë se ka hapësirë të mjaftueshme për hapa për përmirësimin e jetës së njerëzve.

“Gjithçka është e hapur për diskutim përveç njohjes dhe kjo do të thotë çdo lloj zgjidhjesh praktike, qarkullimi i lirë i mallrave, njerëzve dhe ideve. Por mbi të gjitha do të thotë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani dhe ndoshta edhe asaj më të vështirë për menaxhimit të kufirit”.

Por zoti Hooper thotë se meqenëse sipas tij është hera e parë që ka një gërshetim interesash mes Serbisë dhe Kosovës, ky rast duhet përdorur për një arritje madhore dhe përfundimtare, jo vetëm për marrëveshje praktike si ato për të cilat është rënë dakord në bisedimet teknike.

“Një ide e tillë ka nevojë për imagjinatën e amerikanëve në mënyrë që ata të punojnë me evropianët për ta realizuar një gjë të tillë, sepse për momentin mesa kuptoj unë anëtarësimi në OKB nuk është pjesë e bisedimeve politike. Nëse këto bisedime politike sjellin një marrëveshje dhe anëtarësimi në OKB nuk është pjesë e tyre, atëherë druhem se Kosova nuk do të bëhet kurrë pjesë e OKB-së”.

Ky hap thotë zoti Hooper, do të ndihmonte Serbinë si edhe Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zoti Vejvoda vlerëson se vizita e Sekretares Clinton dhe shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton në rajon, u përcolli të dyja palëve mesazhin se ato do të ndihmohen nëse ka rezultate pozitive.

“Ata e kuptojnë që ka një realitet në terren që lë pak vend për manovrim, sidomos për Serbinë për të gjetur një zgjidhje, prandaj është më mirë të lëvizet me shpejtësi dhe ndoshta të arrihet diçka sesa të ikë koha dhe të mos ketë gjë tjetër për të diskutuar”, thotë zoti Vejvoda.

Por ai shton se gjithsesi mbetet problemi i Veriut.

“Qoftë nëse bëhet fjalë për autonomi apo ndonjë zgjidhje tjetër, me siguri që do të ketë një diskutim për nivelin e autonomisë në atë zonë të Kosovës”.

Takimi mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, u mbajt një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Zoti Vejvoda thotë se Ballkani nuk është prioriteti kryesor i politikës së jashtme amerikane por integrimi i Ballkanit ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara.

“Fakti që Presidenti Obama u rizgjodh do të vazhdojë ta nënvizojë këtë interes, megjithëse nuk është përparësi. Edhe nëse do të kishte fituar zoti Romney, nuk besoj se do të kishte pasur ndryshim”.

Zoti Hooper është i të njëjtit mendim se kushdo që t’i fitonte zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, politika ndaj Ballkanit nuk do të ndryshonte, por ai thotë se për Kosovën pas zgjedhjeve do të ketë një humbje.

“Por ajo që do të humbë tani Kosova është Sekretarja Clinton. Ajo ishte Zonjë e Parë kur Presidenti Clinton udhëhoqi luftën dhe tani është Sekratare Shteti. Ajo ka thënë se do të largohet nga administrata gjë që do të jetë një humbje për Kosovën”.

Takimi i ardhshëm i kryeministrave Thaçi dhe Daçiç pritet të mbahet në fillim të dhjetorit.
XS
SM
MD
LG