Udhëheqësit e koalicionit qeverisës në Kosovë, thanë të mërkurën mbrëma se koalicioni është funksional dhe i qëndrueshëm.
Këto komente u bënë nëpërmjet një komunikatë të qeverisë, pas një takimi që pasoi përplasjet në distancë ndërmjet udhëheqësve të koalicionit lidhur me tarifat ndaj mallrave serbe dhe procesit të bisedimeve për një marrëveshje normalizimi me Serbinë.
Në komunikatë thuhet se në takim “u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës”.
Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura. Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në. Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.
Koalicioni qeverisës në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet tre udhëheqësve më të lartë të vendit u dukën më të lëkundura se kurrë ditëve të fundit për shkak të dallimeve të thella rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe procesit të bisedimeve për një marrëveshje normalizimi me Serbinë.
Partia Demokratike e Kosovës kritikoi të mërkurën idetë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj për një konferencë ndërkombëtare për një marrëveshje me Serbinë.
Nëpërmjet një komunikate, kjo parti theksoi se ideja për një konferencë të tillë “përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e përfshirjes së Rusisë në proces”.
Partia Demokratike shprehu siç tha shqetësimin për mungesën e bashkërendimit dhe bashkëveprimit institucional të cilat po e dëmtojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar ndërsa bëri thirje “që të hiqet dorë nga qasja dhe protagonizmi i njëanshëm politik, i cili po e shpie vendin në krizë politike, në kohën kur sfidat me të cilat përballet shteti kërkojnë unitet kombëtar. Pikëpamjet personale janë legjitime, por qëndrimi zyrtar dhe vendimmarrja për vendin duhet të jenë shtetërore, gjithmonë dhe në çdo rast”,thuhet në komunikatë, në të cilën kërkohet që të hiqet dorë nga deklarimet për korrigjimin e kufijve”.
Koalicioni qeverisës në Kosovë po përballet me ndarje të brendshme lidhur me thirrjet për pezullimin e tarifave ndaj Serbisë, duke shtuar zërat se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme ose mund të ketë ndryshime të koalicionit qeverisës.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike ka propozuar pezullimin 120 ditësh të tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, për të ruajtur dhe intensifikuar marrëdhëniet me partnerët kryesorë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Propozimi i tij u bë pak pas kushteve që vendosi kryeministri Haradinaj, i cili kërkoi konerencë ndërkombëtare për një marrëveshje gjithpërshirëse me Serbinë.
Idetë e tyre u hodhën pasi që Shtetet e Bashkuara këkruan me forcë pezullimin e tarifave si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Haradinaj u gjet nën kritikat edhe të partnerëve të koalicionit për veprime kundër kërkesave dhe interesave amerikane në Kosovë. Por, ai sërish të mërkurën hodhi poshtë kritikat e tilla.
“Është mirë që të jemi të sinqertë në me miqtë tanë, me Amerikën, me Evropën dhe t’u tregojmë ku po kemi probleme, pse jemi duke i bërë këto punë, nuk i kemi prej lazdrimit. Kur e kemi pasur për veti që frikësoheshim prej Gjykatës së Posaçme u munduam të rrëzojmë ligjin në parlament, edhe unë kam dashur ta rrëzojë dhe nuk mërziteshim kur thojke amerikani që po na e ngulni thikën pas shpine, nuk mërziteshim për miqësinë dhe të njëjtit njerëz kemi qenë, Hashimi, Kadria, Ramushi të njëjtit kemi qenë dhe pesë pare nuk i kemi dhënë. Ata çdo ditë kanë dalë me deklarata, na bënin trysni që të mos e prekim këtë ligj se po na bëni sherr dhe është kundër neve, na hiç, se e kemi pasur për vete, ne nuk i patëm votat se e kishim rrëzuar dhe nuk jemi mërzitur hiç për partneritetin që sot po dëshirojmë ta ruajmë”,tha kryeministri Haradinaj.
Tarifa ndaj mallrave serbe, e vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, ka nxitur edhe reagimin e Bashkimit Evropian ndërkaq Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave duke bërë që procesi i bisedimeve të vazhdojë të mbetet i pezulluar.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili publikoi një ditë më parë një letër që i kishte dërguar në fillim të këtij muaji presidentit amerikan, Donald Trump, ka shprehur gatishmërinë që të bëjë siç thuhet “kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar me Serbinë”.
Qëndrime të ndryshme për tarifat kanë shprehur edhe dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e cila po bën thirrje që të hiqen ato dhe të mos prishen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe lëvizja Vetëvendosje e cila po kërkon që tarifat të mbeten në fuqi.
Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti tha se tarifat duhet të mbetën ndërsa të largohet qeveria aktuale ndërsa paralajmëroi protesta nëse siç tha nuk ndalet presidenti me idetë e tij për Kosovën.
“Në vitin e kaluar presidenti paralajmëroi kompromis të dhimbshëm ndërsa këtë vit e filloi duke shprehur gatishmërinë për kompromiset e nevojshme me Serbinë në marrëveshjen e cila qenka afër. Presidenti Thaçi ose bën bllof idenë e zgjidhjes finale e pajtimit historik me Serbinë ose tashmë ka marrëveshje të fshehtë me Serbinë. Shpjegim tjetër nuk ka por edhe dilema nuk ka sepse në secilin rast ky president është deligjitimuar dhe diskretituar”,tha zoti Kurti.
“Kanë lyp që ne të japim pak tokë, me dhënë veriun atje ku i kemi disa miniera, disa pasuri, ndoshta sot nuk hyjnë në punë por një ditë ndoshta janë shumë jetike për ne, edhe kanë thënë dhurojeni disa tokë dhe ju njohin ose nëse nuk e dhuroni disa tokë, dhurojeni një republikë brenda republikës suaj, një zajednicë. Unë i ndodhur në këto situatë qysh jemi e kam parë që me marr njohjen pa dhënë diçka nuk bën. Unë po i lus kolegët e mi, Thaçin, Veselin, Mustafën, Kurtin dhe Ahmetin se a bën që ne nëse na e jep Serbia njohjen, ne po ia kthejmë tregun, sepse ia kemi marrë tregun”,tha kryeministri Haradinaj.
Tash për tash nuk ka ndonjë shenjë se kur mund të vazhdojnë bisedimet për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja palëve, por edhe zhvillimeve të brendshme në Kosovë e në Serbi, që mund t'i çojnë të dyja vendet në procese zgjedhore.
Facebook Forum