Parlamenti i Kosovës me 60 vota për dhe 17 kundër miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.
Ligji pasoi shqetësimet në rritje për përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës në luftën e Sirisë. Ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni tha ditë më parë se besohet që rreth 300 qytetarë nga Kosova mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar. Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në luftërat në lindjen e mesme.
Rreth 150 veta janë arrestuar deri tash në kuadër të hetimeve për përfshirje në veprimtari që kanë të bëjnë me zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Ky ligj u fut në rend dite me shumicë votash sipas propozimit të deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme.
Ligji është kundërshtuar nga lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se ai është shumë i përgjithësuar. Ajo tha se nuk është kundër ligjit, por kundër emrit dhe përmbajtjes së tij.
Në mars të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi në lexim të parë këtë projektligj, por, leximi i tij i dytë u pamundësua meqë vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Krahas aspektit ligjor, autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin çdo përfshirje në luftërat ne lindjen e Mesme. Thirrjeve u është bashkuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës e pohon se luftërat në ato zona nuk kanë të bëjnë asgjë me shqiptarët e as me besimin islam.