Në Kosovë, përfaqësues vendas e ndërkombëtarë u bënë thirrje qytetarëve që të mos kërkojnë strehim në vendet e Bashkimit Evropian, sepse nuk mund të arrijnë një synim të tillë. Po ashtu ata paralajmëruan masa të rrepta ndaj personave të përfshirë në trafikun me emigrantë të paligjshëm. Ndonëse askush nuk ka të dhëna të sakta për numrin e personave që përpiqen të largohen drejt vendeve të BE-së, organet e rendit pohojnë se në muajt e fundit është shënuar një rritje e përpjekjeve të tilla. Diplomatët perëndimore po u kërkojnë ndërkaq autoriteteve që të merren me faktorët shtytës për emigrimin, ku papunësia zë vendin e parë.