Banka Botërore tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2018 pritet të rritet me 4.2 për qind e nxitur kryesisht nga investimet publike dhe private dhe nga shtimi i eksporteve.
Ky përfundim është pjesë e një raporti mbi Evropën Juglindore, në të cilin thuhet se rritja ekonomike e Kosovës parashikohet të mbërrijë në 4.5 për qind gjatë viteve 2019 - 2020. Por, kjo rritje sipas raportit, varet nga qëndrueshmëria politike dhe kontrollimi i shpenzimeve siç thuhet të pashënjestruara.
Marco Mantovanelli, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën tha se deficiti fiskal parashikohet të rritet për shkak të investimeve të larta publike në infrastrukturë rrugore.
“Ndërkohë që rritja po ruan një momentum pozitiv dhe politika fiskale mbetet në përputhje me rregullën fiskale, është thelbësore të përmirësohet shpërndarja e shpenzimeve për të investuar në kapitalin njerëzor dhe fizik, për një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme",tha ai.
Ai tha se me gjithë përparimet e bëra, Kosova duhet të ketë kujdes për të ardhmen.
“Kosova po tregon një përthithje më të mirë të investimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe rendiment më të mirë të eksporteve, por perspektiva mund të cenohet nga paqëndrueshmëria politike, rritjet e mëtejshme të përfitimeve të pashënjestruara dhe rënia globale e tregtisë dhe hyrjeve të kapitalit",tha zoti Mantovanelli.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një deklaratë për Zërin e Amerikës tha se rritja ekonomike prej rreth 4 për qind, është e pamjaftueshme për ekonominë e Kosovës dhe për hapjen e vendeve të mjaftueshme të punës. Ai thotë se qeveria e vendit duhet të përqendrohet tek sektori privat si shtyllë e rritjes më të lartë ekonomike.
“Sektori privat përballet me vështirësi të mëdha edhe nga konkurrenca në treg, por edhe për shkak të rregullimit të tregut të brendshëm ku ende ekzistojnë disa monopole të favorizuara nga shteti që frenojnë zhvillimin e konkurrencës së drejtë dhe rritjen e të ardhurave për bizneset private”,tha zoti Gashi.
Banka Botërore u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të zvogëlojnë rreziqet e mundshme nga paqëndrueshmëria ekonomike botërore pas përplasjeve ndërmjet vendeve kryesore në çështjet e tregtisë.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet së në mënyrë që të drejtpeshohen rreziqet, Kosova duhet të zbatojë reformat me përparësi, të rrisë prodhimin, të angazhojë dhe punësojë të rinjtë dhe gratë dhe të trajtojë korrupsionin.
Facebook Forum