Lidhje

Certifikohen zgjedhjet në Kosovë


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të premten rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë. Pason sfida e ngritjes së institucioneve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, duke i hapur rrugën procesit të zbatimit të këtyre rezultateve.

Sipas rezultateve tashmë të certifikuara, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 37 vende në Parlament, Lidhja Demokratike 30, lëvizja Vetëvendosje 16 vende, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 11 deputetë dhe Nisma për Kosovën 6 deputetë, ndërsa 20 deputetë do t’u takojnë partive politike nga radhët e pakicave kombëtare.

Nga sot vendi ka 30 ditë afat të mbledhë Parlamentin dhe të vazhdojë me proceset e afatizuara të formimit të qeverisë.

Por, procesi nuk duhet aspak i lehtë. Partia Demokratike që doli e para në zgjedhje, ngulë këmbë se është ajo që duhet të drejtojë Parlamentin dhe të formojë qeverinë në bazë të kushtetutës. Ndërsa Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, tashmë kanë një marrëveshje për themelimin e qeverisë së re duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, e cila këtë mbështetje e kushtëzon mes tjerash edhe me ristrukturimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në fillim të javës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, publikoi vendimin lidhur me kërkesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, mbi rolin e saj kushtetues në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të tetë qershorit, kërkesë që kishte pasuar debatet e shumta rreth kësaj cështjeje.

Vendimi i Gjykatës lë të kuptohet se është Partia Demokratike e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi ajo e cila e merr e para mundësinë për formimin e qeverisë, ndërsa përjashton mundësinë që kjo, qoftë edhe në herën e dytë të bëhet nga koalicioni pas zgjedhor i krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Vëzhguesit thonë se në rast të dështimit të Partisë Demokratike për të siguruar shumicën e nevojshme në Parlament, çështja në masë të madhe do të mbetet në duart e presidentes e cila duhet të vlerësojë se kush mund të ketë këtë shumicë për të emëruar mandatarin e ri.

LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje janë zotuar se se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, ndërsa PDK me kushtin që të ketë votat e të gjitha pakicave kombëtare do të ketë nevojë për të paktën 4 vota shtesë që duhet t’i kërkojë në radhët e partive rivale.

Por, vëzhguesit thonë se sfidat për zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve do të shfaqen që në përpjekjet për konstituimin e parlamentit, meqë kushtetuta parasheh që kryetari i parlamentit i takon grupit më të madh parlamentar. Partia Demokratike thotë se ky post sikurse ai i kryeministrit i takon asaj, ndërsa partitë tjera thonë se do të bashkohen në një grup parlamentar.

Debatet kanë nxjerrë edhe ide nga më të ndryshmet përfshirë edhe atë për ngritjen e një qeverie gjithëpërfshirëse me mbështetjen e një pjese të diplomacisë ndërkombëtare, për shkak të sfidave që e presin vendin në vijim.

Apo edhe idetë për një qeveri teknike që do të qeveriste pa fuqi vendimmarrëse në periudhën deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja.

XS
SM
MD
LG