Lidhje

Kosovë: PDK fituese e zgjedhjeve parlamentare


Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që vlerësohen si një sprovë për aspiratat integruese të vendit më të varfër dhe më të izoluar në Evropë

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, nxorën fituese Partinë Demokratike të kryeministrit aktual Hashim Thaçi, e cila me këtë mori mandatin e tretë qeverisës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Partia Demokratike ka fituar afro 31 për qind të votave e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 26 për qind, lëvizja Vetëvendosje me 13.5 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.5 për qind dhe Nisma për Kosovën me mbi 5 për qind. Sipas rezultateve paraprake, Aleanca Kosova e Re që ishte partnere në qeverinë Thaçi, nuk e ka arritur pragun prej pesë për qind të votave, që është kusht për të fituar mandate në parlament.

Partia Demokratike shpalli në mesnatë fitoren e saj në këto zgjedhje në të cilat morën pjesë rreth 43 për qind e afro një milion e 800 mijë qytetarëve me të drejtë vote, një pjesëmarrje e ultë në krahasim me pritjet dhe e cila sipas vëzhguesve pasqyron pakënaqësitë me gjendjen aktuale në vend.

Zoti Thaçi tha se do të ndjekë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Por, vullneti i qytetarëve nuk i ka siguruar mandate të mjaftueshme Partisë Demokratike të cilën e pret tani një periudhë debatesh për përbërjen e qeverisë së re në të cilën duhet të përfshihen edhe parti të tjera. Gjatë fushatës para zgjedhjeve Lidhja Demokratike dhe lëvizja Vetëvendosje ishin shprehur prerazi kundër cdo mundësie për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike e cila duket se duhet t’u drejtohet partive si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën së bashku me partitë e pakicave.

Sido që të duket koalicioni i ri qeverisës ai do të përballet me shumë sfida që ndodhen para shtetit të ri që synon të përparojë drejt integrimeve evropiane por të rimëkëmbjes së vendit më të varfër dhe më të izoluar të Evropës.

Qeveria e re do të përballet edhe me sfidën e punës së gjykatës së posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës. Gjykata që u themelua në muajin prill nga Parlamenti i Kosovës do të veprojë jashtë Kosovës dhe do të trajtojë pretendimet e ngritura në vitin 2010 nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty.

Midis sfidave radhitet edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, marrëveshje që synojnë zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe. Atje të dielën për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës votuan edhe pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët me gjithë pjesëmarrjen e ultë do të kenë dhjetë vende në parlamentin e Kosovës, sikundër edhe partitë e pakicave të tjera etnike jo shqiptare.
XS
SM
MD
LG