Lidhje

Kosovë, COVID-19: Filloi vaksinimi i personave mbi 18 vjeç – lehtësohen masat


Ministria e Shëndetësisë në Kosovë bëri të ditur se nga sot ka filluar vaksinimi kundër COVID-19 i personave mbi 18 vjeç.

Këshilltarja për marrëdhënie me publikun e ministrit të Shëndetësisë, Orgesa Arifi i tha Zërit të Amerikës se “tashmë nuk ka më kategori specifike dhe tani mund të vaksinohen të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç”.

Autoritetet po bëjnë thirrje për vaksinim sa më të madh të qytetarëve për të parandaluar një valë të re infektimesh. Shqetësimi kryesor për autoritetet shëndetësore, aktualisht është varianti delta, dy rastet e para të të cilit u konfirmuan në fund të muajit të kaluar në Kosovë.

Autoritetet thanë se të mërkurën janë dhënë afër 12 mijë doza të vaksinës ndërsa që nga fillimi i vaksinimit janë dhënë rreth 282 mijë doza.

Muajve të fundit është shënuar rënie e numrit të personave të infektuar nga koronavirusi si dhe vdekjet nga pasojat e këtij virusi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi të mërkurën 12 raste të reja të infektimit me koronavirus pas 1 mijë e 421 testeve, ndërsa nuk ka pasur asnjë rast vdekjeje.

Që nga 13 marsi i vitit 2020 janë konfirmuar 107 mijë e 879 të prekur nga koronavirusi dhe 2 mijë e 264 kanë humbur jetën nga pasojat e tij.

Përmirësimi i situatës bëri që të mërkurën qeveria e Kosovës të vendosë lehtësimin e mëtejmë të masave kufizuese. Sipas vendimit më të ri të qeverisë lejohet grumbullim më i madh brenda dhe jashtë objekteve, mbajtja e ahengjeve deri në ora një të natës si dhe hapja e klubeve të natës.

Kafenete dhe restorantet do të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 23:00, ndërsa në fundjavë deri në mesnatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG