Lidhje

Kosovë: Nëntëmbëdhjetë të prekur nga koronavirusi


Autoritetet në Kosovë thanë të martën pasdite se deri tash janë konfirmuar nëntëmbëdhjetë raste të infektimit me koronavirus, nga 284 raste të testuara si të dyshuara.

Dy rastet e fundit janë nga komuna e Gjakovës dhe bëhet fjalë për një 54 vjeçar dhe një 49 vjeçare të kthyer nga Gjermania.

Më herët gjatë pasdites, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, tha në një konferencë me gazetarë se 10 nga të prekurit janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë, ndërsa të tjerët në kushte shtëpie. Gjendja e të infektuarve sipas tij, është e qëndrueshme.

Kosovë, rritet numri i të infektuarve me virusin Covid 19
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:06 0:00

Në Kosovë rastet e para me koronavirus u konfirmuan të premten duke bërë që autoritetet të shtojnë edhe masat e parandalimit të përhapjes së këtij virusi.

Në kuadër të masave për parandalimin e zgjerimit të këtij virusi komuna e Prishtinës u përfshi sot në një aksion të gjerë të pastrimit të rrugëve.

Autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e shtimit të masave. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, takoi komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, për të kërkuar rritjen deri në maksimum të shkallës së gatishmërisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndihmë të parandalimit, përballjes dhe tejkalimit të krizës. Ngritja e kësaj shkallë është hapi i fundit para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, bëri thirrje që sa më parë të shpallet gjendja e jashtëzakonshme si masë parandalimi ndaj përhapjes së koronavirusit të ri.

Deri tani rastet e konfirmuara janë kryesisht persona të kthyer nga Italia, që është vendi më i goditur në Evropë dhe Britania e Madhe.

Autoritetet kanë vënë nën karantinë zonat ku janë identifikuar të infektuarit.

Ministri i Shëndetësisë, u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi, të zbatojnë rekomandimet e autoriteteve dhe të mos stigmatizojnë të prekurit nga koronavirusi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG