Lidhje

Pezullohet zbatimi i ligjit për pagat në Kosovë


Gjykata Kushtetuese e Kosovës, miratoi të enjten vendimin për pezullimin e zbatimit të ligjit për pagat në sektorin publik, një masë që do të jetë në fuqi deri më 30 mars të vitit 2020.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën, kërkesë që u shtrua në fillim të këtij muaji, kur edhe ka hyrë në fuqi ligji i ri për pagat, i cili ishte miratuar në muajin shkurt të këtij viti.

Sipas ligjit të ri, pagat përcaktohen në bazë të koeficienteve nga 1 në dhjetë.

Koeficienti më i lartë është 10, më të cilin paguhet presidenti i Republikës, i pasuar nga niveli i 9-të, ku bëjnë pjesë kryetari i parlamentit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e kështu me radhë.

Sipas ligjit, vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit, do të jetë 239 euro.

Me koeficientet 1.7 deri në 2.5, paguhen punonjës të sistemit të sistemit arsimit, përfshirë edukatorët e kopshteve dhe drejtorët e shkollave të mesme.

Ligji i ri për pagat përfshinë edhe punonjësit e ndërmarrjeve publike të cilët ndjehen të goditur meqë pagat e tyre ulen. Ndërsa sindikatat e shërbyesve civilë ishin ankuar për diskriminim në ligjin për pagat që parasheh një rritje shumë të vogël për ta.

Avokati i Popullit tha se kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe për këtë arsye kishte kërkuar vlerësimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.

Por paralajmërimi për mundësinë e pezullimit të zbatimit të ligjit, nxiti reagime të sindikatave të arsimit, shëndetësisë dhe policisë së Kosovës, që paralajmëruan greva për ditën e premte. Paralajmërimi ishte bërë para se të publikohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Rreth 82 mijë veta paguhen nga buxheti i Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG