Në Kosovë, zyrtarët e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, thanë se kanë mënjanuar një numër transmetuesish të telefonisë celulare të Serbisë në disa pjesë të vendit, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe. Zyrtarët thanë se operacioni i tyre përfshinë 17 stacione të këtyre transmetuesve në gjithë Kosovën.
Zyrtarët nuk kanë dhënë më shumë informacione, por theksuan se operacioni është zhvilluar me mbështetjen e njësive të posaçme të policisë.
Në shenjë pakënaqësie, disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb kanë protestuar në Zubin Potok, një nga komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Përfaqësues të Beogradit por edhe të serbëve vendas kanë reagur duke e cilësuar këtë si një veprim që, siç thuhet, nxit pasiguri dhe frikë.
Operacioni i parë për largimin e operatorëve të paligjshëm qe ndërmarrë në pranverën e këtij viti ndërsa ishin paralajmëruar edhe operacione të reja.
Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit ishte kritikuar shpeshherë për mosndërmarrjen e veprimeve kundër operatorëve të paligjshëm të telefonisë celulare, mirëpo, veprimi i operatorëve nga Serbia ishte toleruar për shkaqe politike, meqë pjesa më e madhe e pjesëtarëve të komunitetit serb shfrytëzojnë këta operatorë.
Statistikat thonë se humbjet vjetore të buxhetit të Kosovës nga operatorët e paligjshëm sillen në rreth 20 milionë euro.