Lidhje

EULEX-i ngre aktakuzë kundër Bujar Bukoshit


Bujar Bukoshi, Zv/kryeministër i Kosovës
Bujar Bukoshi, Zv/kryeministër i Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi dhe 10 zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë akuzohen nën dyshimet për korrupsion.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se është ngritur një aktakuzë ndaj 11 personave nën dyshimet për korrupsion në ministrinë e shëndetësisë së Kosovës.

Në akuzën e ngritur nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria e posaçme e Kosovës, janë të përshirë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi dhe ish sekretari i përhershëm i ministrisë së shëndetësisë, Ilir Tolaj.

Në një njoftim të EULEX-it thuhet se “të dyshuarit akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqpërdorim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, evazion fiskal”etj.

Dyshimet mbi zotin Bukoshi kanë të bëjnë me periudhën kur ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Zoti Bukoshi, gjatë viteve të 90-ta u bë i njohur si kryeministër i qeverisë së shqiptarëve të Kosovës në mërgim, ndërsa pas luftës ai për një periudhë themeloi një parti të re politike, për t’u rikthyer sërish në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pas zgjedhjeve të vitit 2010, ai u bë pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga kryeministri Thaçi dhe aktualisht mban postin e njërit nga zv/kryeministrat e vendit.
XS
SM
MD
LG