Lidhje

PDK-LDK në bashkëqeverisje


Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi dhe ai i LDK-së Isa Mustafa janë marrë vesh në parim për koalicionin qeverisës

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar në parim që të formojnë institucionet e reja, gati gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Marrëveshja është arritur në një takim me presidenten e Kosovës, ku mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.

Në takimin e zhvilluar në zyrën e presidentes, me nismën e dy udhëheqësve, zoti Thaçi dhe zoti Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e presidentes Jahjaga.

Të dy udhëheqësit, thuhet në njoftim, theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Kosovës, përmbushin detyrimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit.

Tash për tash nuk është e qartë se si do të ndahet pushteti ndërmjet tyre, por Lidhja Demokratike e Kosovës thekson në një komunikatë se “sipas marrëveshjes së arritur, LDK-së do t’i takojë posti i kryeministrit të vendit, derisa ministritë do të ndahen në mënyrë të barabartë. Ndarja e tyre do të do të bëhet gjatë ditëve në vijim, bazuar në punën e grupeve punuese”.

Marrëveshja e së mërkurës, i dha fund bllokadës së gjatë politike që e vuri Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të tetë qershorit, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën arritën një marrëveshje për krijimin e institucioneve me synimin për të lënë Partinë Demokratike në opozitë. Më pas këtij koalicioni ju bashkua lëvizja Vetëvendosje. Sipas asaj marrëveshje Lidhjes Demokratike duhej t’i takonte posti i kryetarit të Parlamentit, ndërsa Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ai i kryeministrit.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se posti i kryetarit të Parlamentit i takon Partisë Demokratike që doli e para në zgjedhje.

Ditë më parë, partitë e koalicionit pas zgjedhor thanë se do të heqin dorë nga pretendimi për këtë post dhe realisht, kjo shënoi edhe fundin e tij.

Kjo është hera e dytë që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike merren vesh për koalicion qeverisës. Ato së bashku qeverisën vendin nga viti 2007 deri në vitin 2010 kur vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së presidentit të atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Haradinaj: Koalicioni që do të dështojë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj tha se njjë qeverisje e tillë pati dështuar si mos më keq gjatë viteve 2008-2010.

Në një komunikatë për opinion të zotit Haradinaj thuhet se “përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Të dyja shkollat e tyre të qeverisjes janë dëshmuar si të dështuara. Do të dështojnë sërish. Është çështje kohe, por fatkeqësi për vendin”.

Mes tjerash ai thotë se do të bëjë gjithçka për të kërkuar përmbushjen e premtimeve parazgjedhore.

Do të kërkojmë me këmbëngulje përmbushjen e premtimeve të të dy partive: hapjen e 320 mijë vendeve të punës; largimin e kapjes së shtetit; shtetin ligjor; integrimet evropiane brenda mandatit; dekriminalizimin e institucioneve të shtetit; e shumë e shumë premtime që duhet të përmbushen”.

XS
SM
MD
LG