Lidhje

Sulme të armatosura në veri të Kosovës


Policia tha se sulmet ishin të bashkërenduara. Banorët serb penguan EULEX-in që të përfshihet në hetime

Policia e Kosovës, bëri të ditur se tri sulme të armatosura kanë ndodhur gjatë orëve të natës në komunën e Zubin Potokut në veri, një zonë e banuar me shumicë serbe.

Sulmet e kryera me armë automatike dhe një bombë, që kanë kaluar pa pasoja në njerëz, kanë ndodhur në tri vende të ndryshme në këtë komunë.

Në bazë të raporteve të para policore mësohet se sulmet e armatosura dhe të bashkërenduara kanë ndodhur në ndërtesën e bankës private “KEP”, në ndërtesën e radiostacionit lokal “Radio Kolashin” dhe në shtëpinë private të një oficeri të policisë së Kosovës, në Zubin Potok”.

Policia tha se bashkë me njësitë e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe ato të KFOR-it janë duke kryer hetimet. Sulmet kanë lënë pas vetes dëme materiale në ndërtesën e bankës dhe të radio stacionit lokal, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat e 50 plumbave.

Ndërkaq, në shtëpinë e oficerit të policisë, janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale nga të shtënat me armë zjarri dhe nga një shpërthim që besohet të jetë granatë dore. Të paktën 20 gëzhoja plumbash të armëve automatike janë gjetur në vendin e ngjarjes.

Në kohën e sulmit të armatosur, në shtëpi ndodhej oficeri i policisë së bashku me familjen e tij.

Policia tha se ende nuk dihet asgjë për autorët apo motivet e mundshme të këtyre sulmeve.

Ndërkaq, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit shprehu keqardhje për ngjarjet që siç thuhet janë “një sfidë e qëllimshme për tërë sundimin e ligjit në Zubin Potok”.

Në një komunikatë për opinion të këtij misioni thuhet se zyrtarët e EULEX-it janë penguar dhe bllokuar nga një turmë e qytetarëve vendas në kohën kur po synon të përfshiheshin në hetime.

Sulmet u dënuan nga kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, i cili i konsideron ato si “akte të tilla kriminale, që synojnë të ngjallin panik te banorët e asaj pjese të vendit dhe si të tilla janë të dënueshme dhe përbëjnë shkelje të rëndë të rendit e të ligjit”.
XS
SM
MD
LG