Lidhje

Kosovë: Tre punëtorë të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë


Të paktën tre persona janë lënduar nga pasojat e një shpërthimi në kombinatin metalurgjik Ferronikeli, në komunën e Drenasit në Kosovën Qendrore. Zyrtarë të këtij kombinati thanë se shpërthimi ishte pasojë e një rrjedhjeje të metalit të shkrirë, i cili në kontakt me ujin ftohës ka shkaktuar shpërthimin.

Sipas zyrtarëve, tre punonjës kanë pësuar djegie të lehta dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Situata është vënë nën kontroll dhe puna do të vazhdojë pa pengesa.

Por, shpërthimi nxiti shqetësimin e banorëve përreth, të cilët u mblodhën para dyerve të fabrikës. Disa persona pësuan lëndime gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë grupet e qytetarëve.

I privatizuar në vitin 2006, kombinati metalurgjik Ferronikeli, vlerësohet si investimi më i madh privat në industrinë e rëndë në Kosovë dhe ai paraqet 50 për qind të eksporteve të përgjithshme të vendit.

Por, puna e këtij kombinati disa herë është vënë nën kritika për shkak të ndotjes së mjedisit me mbetjeve industriale, ndërsa në fund të vitit të kaluar ishte gjobitur për këtë arsye. Por, drejtuesit thanë se tashmë janë në përfundim të procesit të vendosjes së teknologjisë së re që mbron mjedisin nga ndotjet industriale.

XS
SM
MD
LG