Në Kosovë, policia tha se në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri mbi zyrat e një organizate joqeveritare, pjesë e një projekti të Programi të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtarë.
Hetuesit e policisë thanë se të shtënat që kanë kaluar pa pasoja në njerëz, kanë shkaktuar dëme materiale. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat e katër plumbave, por ende nuk dihen hollësi të tjera rreth motiveve apo autorëve të mundshëm të këtij incidenti, të cilin policia e ka cilësuar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Përfaqësuesit e projektit të njohur si Nisma për komuna demokratike dhe efektive, zyrat e të cilit janë sulmuar, janë pjesë e strukturave që mbështesin planet për krijimin e komunës së re në veriun e Mitrovicës, që është paraparë me planin e krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.
Ky plan që është kundërshtuar nga Beogradi, kundërshtohet edhe nga serbët në veriun e Kosovës, të cilët ngulin këmbë që në atë zonë të mbahen zgjedhjet e Serbisë të cilat pritet të shpallen më 13 mars.