Lidhje

Serbët në veri të Kosovës bojkotojnë regjistrimin e popullsisë


Serbët në veri të Kosovës bojkotojnë regjistrimin e popullsisë
Serbët në veri të Kosovës bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

Edhe tri ditë kanë mbetur deri në fund të procesit të planifikuar të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, por, planet duket se do të ndryshojnë, të paktën për pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

Shefi i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani, thotë se që nga një prilli kur ka filluar ky proces, është regjistruar pjesa dërmuese e popullsisë në Kosovë.

Për të ditur se sa është përqindja e daljes në regjistrim, apo të regjistruesve, atëherë duhet pikësëpari të kemi pikënisje për të gjetur përqindjen, duhet ta dimë se sa është numri për me ditë përqindjen se sa kanë dalë, mirëpo përafërsisht mund të themi se për dhjetë ditë, përafërsisht 1.5 milionë banorë janë regjistruar”, theksoi zoti Shabani.

Në këtë numër nuk janë përfshirë serbët e veriut, të cilët e kanë bojtotuar procesin, me gjithë thirrjet e vazhdueshme të autoriteteve vendase e ndërkombëtare. Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se po kërkohen rrugë për të përmbushur këtë proces edhe në atë pjesë të Kosovës.

Ne nuk dëshirojmë të dështojë procesi i regjistrimit të popullsisë në Republikën e Kosovës. Ju gjithashtu e dini që edhe sipas ligjit duhet të formohen të gjithë komisionet komunale për të gjitha komunat, por ende në tri komuna në veri nuk janë formuar, kështu që edhe në takimin e fundit të Komitetit drejtues, kemi lëshua një informatë se ne jemi duke bërë përpjekje me Komisionin Evropian, me UNOPS-in, me donatorë tjerë të ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të marrin pjesë në regjistrim”, tha ministri Yagcilar.

Por, regjistrimi ka nxitur ndarje edhe ndërmjet përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës. Në pjesën jugore pjesëmarrja, sipas autoriteteve është relativsht e lartë, por edhe atje ka ndikuar qëndrimi refuzues i Beogradit. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petrovic, thotë se është qëndrimi i Beogradit I cili po pengon nganjëherë edhe procese të rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë, sic është regjistrimi.

Si mund të ecim në rrugën evropiane, pa e ditur se sa jemi që jetojmë në Kosovë dhe sa duhet të kthehen”, tha zëvendëkryeministri Petrovic, duke nënvizuar se pjesëmarrja në procesin e regjistrimit është në radhë të parë në të mirë të serbëve të Kosovës.

Por, në veri mendohet ndryshe. Një nga udhëheqësit serbëve të atjeshëm, Radosh Mihajlovic, tha se ata do të mund të merrnin pjesë vetëm në një regjistrim që mund ta bënin Kombet e Bashkuara, por jo edhe institucionet e Kosovës.

Mendoj se në veri askush nuk do të marrë pjesë në regjistrimin që e organizon Prishtina. Në këtë mënyrë, ata duan të tëhuajsojnë 250 mijë serbë që ndodhen në Serbi. Ne pranojmë që Misioni i Kombeve të Bashkuara të bëjë regjistrimin e popullsisë në tërë Kosovën”, tha ai.

Ditët në vazhdim pritet të debatohet mundësia që regjistrimi në veri të bëhet nga orgaizatata ndërkombëtare ndërsa tashmë është e qartë se ky proces do të zgjasë më shumë nga sa ishte planifikuar.

Regjistrimi i popullsisë dhe pronave në Kosovë, po ndodhë për hërë të parë pas 30 vjetësh. Regjistrimi i fundit i popullsisë ka ndodhur në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, shqiptarët bojkotuan regjistrimin që po bëhej nga Beogradi. Regjistrimi i atij viti, fliste për rreth 200 mijë banorë serb në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë hedhin poshtë pretendimet e Beogradit se numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova është rreth 250 mijë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG