Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon u shpreh i shqetësuar më situatën në veriun e Kosovës, zgjidhjen e së cilës sipas tij duhet kërkuar në dialog.
Ai i bëri këto komente në aeroportin e Prishtinës ku u takua me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci.
Sekretari i përgjithshëm tha se mbetet i shqetësuar më situatën në veriun e Kosovës dhe shkallëzimin e tensioneve gjatë vitit të kaluar.
“Është me rëndësi thelbësore që kjo çështje e ndjeshme dhe e ndërlikuar në veriun e Kosovës, të zgjidhet nëpërmjet dialogut paqësorë. Pikëpamjet e komuniteteve të prekura drejtpërdrejtë nga tensionet janë parësore. Zëri i tyre duhet dëgjuar dhe nevojat e të drejtat e tyre duhet të përfaqësohen në mënyrë demokratike”, tha sekretari i përgjithshëm.
Ai tha se një nga temat thelbësore të vizitës së tij në rajon, është rëndësia e dialogut dhe respektit të ndërsjellë në rajon, duke bërë thirrje për mirëkuptim më të madh. Ai tha se të njëjtin mesazh e sjellë edhe për popullin e Kosovës, “që ka vuajtur shumë nga konflikti dhe që është i etur për një të ardhme paqësore e të përparuar. Në veçanti, pres përpjekje më të mëdha drejt normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin”, tha zoti Ban, duke nënvizuar se nga autoritetet në Serbi ka kërkuar gjithashtu përkushtim serioz dhe të sinqertë ndaj dialogut.
Ai ka bërë thirrje për shtimin e përpjekjeve për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur, që siç tha, është një e drejtë thelbësore dhe çelës për ripajtimin dhe respektin e ndërsjellë.
Zoti Ban tha se Bashkimi Evropian tashmë ka marrë rolin udhëheqës në rajon, ndërsa Kombet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë për të përmbushur synimet e përbashkëta për popullin e Kosovës dhe më gjerë në rajon. Ai ngushëlloi qytetarët e Kosovës për humbjen e poetit Ali Podrimja, i cili të shtunën u gjet i vdekur në Francë ku po merrte pjesë në një festival të poezisë.