Grupe qytetarësh kanë protestuar sot në Prishtinë dhe në Malishevë duke kundërshtuar arrestimet e djeshme të një grupi ish pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, lëshoi dje një urdhër arrest për deputetin e Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj dhe nëntë persona të tjerë nën dyshimet për përfshirje në krime lufte. Nëntë persona, janë arrestuar dje në një operacion në shkallë të gjerë të EULEX-it, nën dyshimet për vrasje, tortura dhe veprime të tjera penale të bëra kundër civilëve shqiptarë dhe serb të Kosovës, si dhe ndaj të burgosurve të luftës në qendra të paraburgimit në Kosovë në vitin 1999. Tetë prej tyre janë paraqitur para gjykatës e cila ka caktuar paraburgimin 30 ditësh për pesë prej tyre, dy janë vënë në arrest shtëpie, ndërsa një është urdhëruar që të paraqitet në kohë të caktuar në polici. Personi i nëntë është arrestuar në Zvicër dhe tash pritet dorëzimi i tij tek autoritetet e rendit në Kosovë.
Ndërkaq, deputeti Fatmir Limaj, tha mbrëmë se është i gatshëm të përballet me drejtësinë dhe të jap ndihmesën e tij për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë.
“Unë jam në dispozicion të plotë të organeve të drejtësisë. Ligji duhet respektuar kështu që kurdo që thirr do të jem në dispozicion të ligjit”, tha zoti Limaj.
Nuk ka pasur ndonjë veprim ligjor ndaj zotit Limaj i cili ka imunitet në cilësinë e tij si deputet i Parlamentit të Kosovës. Sipas Kushtetutës së Kosovës, deputeti i Parlamentit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Parlamentit. Por, kjo nuk pengon hetimet ndaj tij.
Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.
Arrestimet e djeshme kanë nxitur reagime në Kosovë. Ministri i Forcës së Sigurisë Agim Çeku, i cili gjatë luftës ishte komandat i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shpreh i shqetësuar me faktin që po vazhdon ngritja e aktakuzave për ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Po harrohet fakti se këtu ka ndodh një luftë, ku e ka pas pushtuesin në këtë rast Serbinë dhe çlirimtarët në këtë rast Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të gjitha këto përpjekje të sponsorizuara nga Serbia, janë përpjekje për ta paraqitur Serbinë si viktimë. Dihet se kush është viktimë dhe kush agresor. Unë kur nuk jam pajtuar dhe kur nuk do të pajtohem dhe askush nuk mund të më bind se ushtarët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë krime. Lufta nuk është lojë shahu, lufta është situatë për vdekje apo për jetë”, tha ministri Çeku.
Ndaj arrestime është protestuar sot në Malishevë, prej nga vijnë pjesa më e madhe e të arrestuarve dhe në Prishtinë ku një grup studentësh kërkuan siç u tha, t’i jepet fund ndjekjes së luftëtarëve të lirisë.
Kundër këtyre arrestimeve kanë reaguar Organizatat e dala nga lufta. Në një reagim të këtyre organizatave shprehet siç thuhet, “indinjata me rastin e arrestimeve të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Malisheva dhe Lipjani”. Në reagim theksohet se “veprimet e EULEX-it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë”.
Ndaj arrestimeve kanë reaguar edhe një pjesë e partive politike. Lëvizja Vetëvendosje ka nënvizuar se arrestimet e djeshme janë një shërbim i radhës për Serbinë në negociata dhe se“nëpërmjet kësaj strategjie EULEX-i po mundohet ta diskreditojë Kosovën si dhe t'i japë përparësi morale Serbisë”.