Qeveria e Kosovës vendosi t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë çështjen e imunitetit të deputetëve të Parlamentit të Kosovës por edhe zyrtarëve më të lartë të vendit, përfshirë presidentin dhe kryeministrin.
Vendimi i cili u bë publik sot nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pasoi debatet që nxiti një kërkesë të Misionit të Bashkimit Evropian drejtuar Parlamentit të Kosovës për të miratuar një Rezolutë me të cilën do t’i kërkohej qeverisë që të kërkojë një opinion të Gjykatës Kushtetuese lidhur me imunitetin e deputetëve që janë nën hetime.
Kërkesa ishte refuzuar nga kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sipas të cilit ajo nuk ishte e bazuar në ligj, në Kushtetutë dhe as në rregulloren e punës së Parlamentit dhe se sipas tij, qeveria ka të drejtë të kërkojë opinion nga Gjykata Kushtetuese pa kërkuar mendimin e Parlamentit.
Refuzimi i zotit Krasniqi, nxiti reagime edhe të diplomatëve amerikanë të cilët thanë se qëndrimet e tilla mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtarë.
Kryeministri Thaçi tha se vendimi i qeverisë së tij ushtron ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe është në pajtim me vizionin e saj për integrimet euroatlantike.