Lidhje

Policia kontrollon kufirin verior të Kosovës – KFOR-diskuton për rrugëdalje nga situata


Policia kontrollon kufirin verior të Kosovës – KFOR-diskuton për rrugëdalje nga situata
Policia kontrollon kufirin verior të Kosovës – KFOR-diskuton për rrugëdalje nga situata

Në Kosovë, autoritetet thanë se një pjesëtar i policisë është plagosur rëndë sot pasdite gjatë operacionit që filloi mbrëmë për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë në veri.

Autoritetet qeveritare thanë se njësitë e posaçme të policisë tashmë vunë nën kontroll dy vendkalime kufitare me Serbinë, në veriun e banuar me shumicë serbe. Nga ana tjetër, banorët serbë po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në shenjë proteste ndaj aksionit të policisë.

Gjatë natës që lamë pas, qeveria e Kosovës urdhëroi njësitë e posaçme të policisë për vendosjen e kontrollit në dy pikat kufitare me Serbinë në fshatrat Bërnjak, dhe Jarinje. Autoritetet në Prishtinë thanë se urdhri ishte veprim në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Të paktën një pjesëtar i policisë është plagosur nga pasojat e një shpërthimi, ndërsa sot pasdite një tjetër pjesëtar i policisë ka pësuar plagë të rënda në afërsi të komunës së Zubin Potokut kur mbi autokolonën e policisë është shtënë me armë zjarri.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë se janë vënë në përpjekje për të shtendosur situatën në veri, ndërsa komandanti i tyre, gjenerali gjerman Erhard Buhler tha se njësitë e tij nuk do të lejojnë përdorimin e dhunës dhe janë të gatshme të ndërhyjnë.

Përfaqësues të Beogradit, përfshirë edhe shefin e delegacionit të Serbisë për bisedime me Kosovën, Borko Stefanovic, kanë kërkuar tërheqjen e policisë së Kosovës nga postat kufitare.

Autoritetet në Prishtinë thanë se nuk mund të ketë kthim prapa dhe se veprimi i tyre është në funksion të vendosjes së rendit e ligjit në tërë vendin. Ata mohuan të jetë arritur ndonjë marrëveshje për tërheqjen e policisë nga vendkalimet kufitare, ndonëse disa herë gjatë ditës u paralajmërua mundësia që njësitë e posaçme të policisë mund të tërhiqen duke lënë në postat kufitare njësitë e rregullta shumetnike të policisë dhe doganierët e Kosovës. Zyrtarë të KFOR-it thanë se edhe më tej një pjesë e njësive të posaçme janë në vendkalimet kufitare, ndërsa po diskutohet mundësia që të arrihet një marrëveshje për tërheqjen e tyre dhe zhbllokimin e rrugëve në veri.

Aksioni i mbrëmshëm i policisë është mbështetur nga forcat politike në vend që i kanë bërë thirrje qeverisë që të mos sprapset.

Beogradi akuzon Prishtinën

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, e ka cilësuar operacionin e policisë së Kosovës si kërcënim për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai ka deklaruar se ka biseduar me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Ashton, lidhur me situatën në veri, duke i thënë se "veprimi i policisë së Kosovës është i papranueshëm për Serbinë".

Opozita serbe ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë dhe presidenti Boris Tadiç të këmbëngulin për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me ngjarjet në Kosovë.

Përfaqësuesit politikë serbë kanë akuzuar Prishtinën se po synon që nëpërmjet aksioneve të tilla të imponojë vullnetin e saj politikë në veri. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, tha se Prishtina nuk duket se ka vepruar vetëm, “por me atë pjesë të komunitetit ndërkombëtarë që e njeh pavarësinë e Kosovës dhe veriun e saj e sheh si pengesë për zbatimin e kësaj pavarësie”.

Bashkimi Evropian – nuk e mbështet operacionin

Aksioni i policisë nuk është mbështetur nga EULEX-i, zyrtarët e të cilit thanë Veprimet e njëanshme nga cilado palë nuk ndihmojnë aspak dhe se problemet sipas tyre, duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Të padobishëm e ka cilësuar aksionin e policisë edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini, i cili tha se operacioni nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian nuk e ka miratuar atë. Këtë qëndrim e shprehu edhe Maja Kocijancic zëdhënëse e kabinetit të krye diplomates evropiane Kethrin Ashton, sipas së cilës Bashkimi Evropian kërkon qetësimin e situatës dhe kthimin e në gjendjen e mëparshme.

Sipas saj, EULEX, është i gatshëm që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në këtë drejtim dhe se dialogu është mënyra e vetme që të zgjidhet çështja e vulave të doganave dhe të rivendoset tregtia e lirë në të dy drejtimet.

Zyra Civile Ndërkombëtare : Qeveria ka të drejtë...

Ndërkohë, zyra civile ndërkombëtare nëpërmjet zëdhënësit të saj Andy McGuffy ka theksuar se “sikur në çdo vend sovran, qeveria ka të drejtë të ndërmarrë hapa për të siguruar administrim adekuat, përfshirë këtu kontrollin e kufirit dhe të doganave. Tani është me rëndësi shumë të madhe që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë paqësore përmes diskutimeve dhe negociatave. Askush nuk do të fitojë kurrfarë përparësie përmes dhunës”. Në një komunikatë për opinion, kjo zyrë i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që “përpjekjet e veta për të vendosur kontroll administrativ në tërë territorin e saj t’i përcjellë me përpjekje të vendosura për t’i risiguruar dhe mbështetur qytetarët e saj në veri të vendit. Situata e tanishme nënvizon rëndësinë e angazhimit të plotë nga Beogradi dhe Prishtina në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët”, thuhet në komunikatën e Zyrës Civile Ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG