Lidhje

Policia serbe pohon se është sulmuar në Dobrosin


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Policia serbe tha se “sulmues të panjohur kanë shtënë me armë automatike mbi postbllokun e policisë në afërsi të kufirit me Kosovën”.


Autoritetet serbe thanë se një pjesëtarë i policisë së Serbisë, është plagosur lehtë në një incident të pasqaruar në fshatin Dobrosin të komunës së Bujanocit, një nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Policia serbe tha se “sulmues të panjohur kanë shtënë me armë automatike mbi postbllokun e policisë në afërsi të kufirit me Kosovën”.

Mjetet serbe cituan zyrtarët serbë të kenë thënë se “oficeri i policisë është qëlluar nga një plumb i devijuar, ndërsa postblloku është qëlluar nga drejtimi i Kosovës”.

Autoritetet vendase e ndërkombëtarë te sigurisë në Kosovë, nuk kanë njohuri për këtë incident, që raportohet të ketë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Kjo është hera e dytë në dy muajt e fundit që raportohet për sulm në të njëjtin vend. Më 17 maj, policia serbe tha se postblloku u qëllua me armë nga drejtimi i Kosovës, por sulmi kaloi pa pasoja në njerëz.

Në fshatin Dobrosin, ku raportohet se ndodhi incidenti, në vitin 2000 ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG