Në Kosovë, policia e Misionit të Kombeve të Bashkuara arrestoi dje një punonjës të qeverisë së vendit në kuadër të hetimeve për korrupsion në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Në një njoftim të EULEX-it thuhet se arrestimi pasoi bastisjen e zyrës dhe banesës private të një administratori të teknologjisë informative, teknik kompjuterësh, i cili tashmë është në paraburgim me urdhër të Prokurorisë së Posaçme të Kosovës.
I arrestuari akuzohet për pengim të mbledhjes së provave, thuhet në njoftimin e EULEX-it. Ky është arrestimi i parë që nga fillimi i hetimeve në Ministrinë e Transporteve në fund të prillit të këtij viti.
Hetime për korrupsion po zhvillohen edhe në institucione të tjera të Kosovës. Në kuadër të tyre në fillim të këtij muaji policia arrestoi këshilltarin e ministrit të shëndetësisë, Ilir Tolaj i cili po mbrohet aktualisht në gjendje të lirë. Javën e kaluar policia arrestoi guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi për korrupsion. shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe larje parash.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës bëri gjithashtu të ditur zgjerimin e hetimeve ndaj zotit Rexhepi me akuza shtesë ku përfshihen "abuzimi i pozitës zyrtare" dhe "marrja e ryshfetit". Çështja ka të bëjë me lëshimin e licencave të punës të kompanive të sigurimit gjatë periudhës 2006-2008.
Kohët e fundit, Kosova është kritikuar shpesh për mangësi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kjo shihet si një nga sfidat e radhës për institucionet e saj