Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Gordon, ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin e Kosovës, ndërsa vendimin për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, e cilësoi si një votëbesim të komunitetit ndërkombëtarë për Kosovën.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me të cilën tha se ka diskutuar zhvillimet e fundit në Kosove dhe në rajon.
Zoti Gordon erdhi në Prishtinë nga Beogradi, ku është takuar me presidentin serb Tomislav Nikoliç, kandidatin për kryeministër të Serbisë, Ivica Daçiç dhe ish presidentin Boris Tadiç, të cilëve siç tha u ka transmetuar mesazhin e Shteteve të bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe pavarësinë tokësore të Kosovës dhe besojmë se çfarëdo qeverie që formohet në Beograd, do të zbatojë në tërësi marrëveshjet e arritura në bisedime dhe të vazhdojë ato bisedime në cilëndo formë që do të jetë e domosdoshme, për të arritur marrëveshjet praktike që ndihmojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit”, tha zoti Gordon.
“E përsërita se mbështesim aspiratat evropiane të Kosovës sikundër që mbështesim aspiratat evropiane të Serbisë. Shpresojmë se Serbia do të mbetet në orientimet për integrime evropiane por kjo kërkon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. E përsërita në Beograd atë që po e përsërisë këtu se Serbia duhet të pajtohet me realitetin e Kosovës demokratike e sovrane dhe do të luajmë çdo rol që mundemi për të mbështetur marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve”, tha zoti Gordon.
Ai mbështeti planet e Prishtinës për t’u shtrirë dorën qytetarëve në veriun e Kosovës, duke nënvizuar se ky është një veprim thelbësorë për siguruar të gjithë qytetarët e vendit se ata janë të sigurt. Ai dënoi, siç tha veprimet atyre që duan të pengojnë këto përpjekje, ndërsa vuri theksin në dënimin e vrasjes së dy pjesëtarëve të komunitetit serb në një fshat të komunës së Ferizajt.
Zoti Gordon i shprehu mbështetjen edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mos shkurtimin e mandatit të presidentes së Kosovën Atifete Jahjaga.
“Mendoj se kjo presidente, mendoj se mund të flas për presidentin tim dhe sekretaren time të shtetit, ishte fytyre shumë pozitive për këtë vend gjatë këtyre 15 muajve dhe presim që të punojmë me të në pjesën e mbetur të mandatit”, tha zoti Gordon.
Presidentja Jahjaga, tha se Kosova është faktor i rëndësishëm i paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ajo u zotua për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Serbinë. Në këtë kuadër, ajo tha se institucionet e Kosovës kanë mbështetur bisedimet me Serbinë, ndërsa kërkojnë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura deri tash. Ajo tha se nuk do të ketë ndarje e as status të veçantë për veriun e Kosovës, që duhet të integrohet në kuadër të planit të krye negociatorit Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.
Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen për rolin e Shteteve të Bashkuara në proceset politike në Kosovë.