Lidhje

Kosovë: Pesë vjetori i vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova


Kosovë: Pesë vjetori i vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova
Kosovë: Pesë vjetori i vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova

Në Kosovë sot u shënua pesë vjetori i ndarjes nga jeta të Presidentit të parë të vendit, Ibrahim Rugova. Udhëheqësit politik dhe institucional të Kosovës nderuan figurën e presidentit të ndjerë duke kujtuar njëherësh kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës. Ata bënë homazhe tek varri i presidentit Rugova, ndërsa gjatë ditës janë mbajtur manifestime të ndryshme ku është përkujtuar e vlerësuar roli i tij në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Në një akademi përkujtimore e cila u mbajt nën përkujdesjen e kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçi, kryeministri tha se Ibrahim Rugova është njëra nga figurat më të rëndësishme shqiptare të fundshekullit njëzet.

“Pesë vjet më parë Kosova u nda nga njëra prej figurave më të rëndësishme të Kosovës, nga Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Vdekja e parakohshme e Presidentit Rugova fatkeqësisht ndodhi dy vjet para se të përmbyllej procesi i gjatë dhe historik, ëndrra, qëllimi, aspirata dhe angazhimi madhor i shumë e shumë brezave – pavarësia e Kosovës, për të cilën dr. Ibrahim Rugova dha kontribut të gjatë dhe të rëndësishëm”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa tha në një manifestim të veçantë të kësaj partie se Kosova moderne identifikohet me emrin e Ibrahim Rugovës, të cilit Kosova i dha lamtumirën e fundit, pesë vjet më parë.

“Sot, në këtë hark kohor, që mund të duket i shkurtër, e kuptojmë më së miri sa shumë i mungon shtetit të Kosovës njeriu që jetoi në kohën e tij, por vazhdimisht e projektoi dhe e përjetësoi të ardhmen, sikur të ishte duke e jetuar shumë vite para të gjallëve të tjerë, njeriu që vuri themelet e shtetit të Kosovës, duke i dhënë zë kudo në botë dhe duke mbledhur e kthyer me sy prej nesh shtetet dhe liderët më të fuqishëm të globit, njeriu që deri në frymën e fundit nuk u ndal së punuari për ëndrrën e madhe të të gjithë shqiptarëve - lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, njeriu që për dekada, breza, e shekuj do të kujtohet si Presidenti Historik i Kosovës”, tha zoti Mustafa.

Ndërkaq, Ukë Rugova, i biri i presidentit të ndjerë bëri thirrje sot për bashkim politik kundruall proceseve politike në Kosovë dhe rreth saj.

“Fryma e afrimit dhe bashkimit të njerëzve ka qenë në shpirtin e Presidentit Rugova. Me këtë frymë, ai ndërtoi me sukses Lidhjen Demokratike e Kosovës dhe udhëhoqi Kosovën në rrugë të sigurt drejt lirisë dhe pavarësisë. Në këtë përvjetor fryma unifikuese e Presidentit Rugova duhet të jetë udhërrëfyes i yni për të ndërtuar institucione shtetërore stabile dhe kredibile, për të rikthyer besimin e shtetit tonë të Kosovës te miqtë tanë ndërkombëtar”, tha zoti Rugova.

I doktoruar në fushën e letërsisë, Dr. Ibrahim Rugova, ishte presidenti I parë I Kosovës dhe udhëheqësi 16 vjeçar I Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas vdekjes së tij pasuan ndryshime në strukturat e institucioneve të Kosovës, ndërsa në dhjetor të vitit 2006 edhe në partinë e cila u nda në Kuvendin e gjashtë zgjedhor. Një pjesë e kësaj partie themeloi një subjekt të ri politik me emrin Lidhja Demokratike e Dardanisë. Në zgjedhjet e 12 dhjetorit, i biri Ukë Rugova themeloi listën me emrin e presidentit Rugova dhe mori pjesë në zgjedhje në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Të gjitha palët tashmë janë vënë në përpjekje të mëdha për të trashëguar emrin dhe veprën e ish presidentit Rugova.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG