Lidhje

Incidente në përvjetorin e betejës së Kosovës


Kosovë, Gazimestan
Kosovë, Gazimestan

Dhjetëra veta janë lënduar në incidentet që përshkuan manifestimet serbë me rastin e përvjetorit të betejës mesjetare të Kosovës.


Mbi 30 pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë pësuar lëndime gjatë përplasjes më një grup serbësh në vendkalimin kufitar me Serbinë në Merdarë, rreth 40 kilometra në veri të Prishtinës.

Policia tha se kishte ndaluar qëndrimin në Kosovë të një grupi tifozësh serb, të njohur për qëndrime radikale. Ata kishin qëlluar me gurë e gjësende të forta mbi policinë e Kosovës, e cila tha se janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Nëntë nga 32 policët e lënduar po trajtohen në spitalin e Prishtinës.

Mjetet serbe të informimit, thanë se të paktën 20 serbë janë plagosur në këtë përplasje, por këto njoftime nuk janë konfirmuar nga policia e Kosovës. Grupi i serbëve synonte të marrë pjesë në kremtimet me rastin e 623 vjetorit të Betejës së Kosovës.

Policia tha në orët e hershme të mëngjesit, grupi prej afro 70 serbësh, që kishte hyrë në Kosovës nëpërmjet vendkalimeve kufitare veriore, ishte mbledhur në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër në qytetin verior të Mitrovicës. Një pjesë e tyre kishin qëlluar me gurë mbi policinë e cila kishte ndërhyrë me gaz lotsjellës, ndërsa grupin e kishte deportuar për në Serbi, nëpërmjet vendkalimit kufitar në Merdarë.

Përleshjet kishin shpërthyer në vendkalimin kufitar. Zyrtarë serbë thanë se një pjesë e serbëve janë plagosur me armë zjarri dhe plumba gome, ndërsa policia e Kosovës mohoi të ketë përdorur armë zjarri.

Grupe serbësh kanë hyrë në Kosovë nën përcjelljen e policisë, për të marrë pjesë në manifestimet në manastirin mesjetar të Graçanicës dhe në Gazimestan afër Prishtinës, vendin ku 623 vjet më parë ishte zhvilluar Beteja e Kosovës.

Ndonëse, ajo betejë shënoi humbjen më të rëndë të popujve të Ballkanit, nga serbët shënohet si ditë e fitores shpirtërore.



Kreu i kishës ortodokse serbe, Patriarku Irinej, tha sot në Graçanicë, se “Kosova është Jerusalem serb”. Duke shërbyer liturgjinë në manastirin e Graçanicës, ai u tha qytetarëve serbë se prania e tyre dëshmon se, siç është shprehur ai, “kjo ka qenë, është dhe do të mbetet tokë e shenjtë serbe - Jerusalemi serb”.

Ndërkaq, sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tha se shqiptarët nuk e kuptojnë rëndësinë që ka për serbët përvjetori i Betejës së Kosovës, ndërsa dënoi siç tha ai, dhunën e policisë.

Brutaliteti i policisë nuk është rrugë për zgjidhjen e problemeve. Nuk mundet që me ndalesa dhe kufizime të lirisë së lëvizjes dhe të shprehjes së vullnetit të arrihet gjë. Shumë njerëz janë lënduar dhe kjo nuk është dashur të ndodhë” tha ai.

Përfaqësuesit e serbëve thanë se pesë autobusë me të cilët po udhëtonin qytetarë serbë, janë qëlluar me gurë dhe shishe me benzinë në dalje të Prishtinës. Policia tha se është duke hetuar për këtë incident.

Forcat paqeruajtëse dënuan incidentin duke e cilësuar atë si akt të dhunshëm dhe të mjerueshëm ndaj pesë autobusëve me serbë në Prishtinë. Në një komunikatë për opinion thuhet se “KFOR-i përshëndetë përkushtimin e institucioneve përgjegjëse që të kryejnë hetim të plotë për këtë akt të dënueshëm. Ky veprim i turpshëm është në kundërshtim me synimet për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe nuk ka vend në zhvillimet aktuale të një shoqërie moderne”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës mori përmasa të tjera në vitin 1989, kur ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç shpalli siç thuhej bashkimin e Serbisë me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Njëzetetre vjet pas asaj dite, Kosova ndodhet në çerekun e parë të pesë vjetorit të pavarësisë së saj të njohur nga rreth 90 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, ndërsa Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.

Prishtina dënon sulmin mbi policinë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dënoi ashpër sulmin mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga siç thuhet në një komunikatë për opinion, “grupe huliganësh të dhunshëm nga Serbia, që tentuan të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, për manifestime për të cilat paraprakisht nuk është bërë kërkesa në organet përkatëse të Kosovës.

Përpjekjet e këtyre grupeve të huliganëve, që me dhunë të hyjnë në territorin e Kosovës, do të ndalohen sepse janë shkelje serioze e rendit dhe ligjit dhe përshkallëzojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë. Sulmi mbi pjesëtarët e policisë së Kosovës me mjete të forta dhe me armë zjarri, është plotësisht i patolerueshëm dhe është sulm mbi rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga, në të cilin shprehet zotimi se “institucionet e Republikës së Kosovës do të mbrojnë me përkushtim sistemin demokratik të vendit dhe do të parandalojnë çdo përpjekje për destabilizim”.

Presidentja Jahjaga, u bën thirrje autoriteteve të Serbisë që të pengojnë grupet e huliganëve serbë dhe të parandalojnë përpjekjet e tyre për prishjen e rendit dhe të qetësisë publike duke shkelur kështu ligjet e Kosovës, ndërsa “ju përkujton autoriteteve serbe se politika e fqinjësisë së mirë është detyrim dhe parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Sulmi u dënua edhe nga kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe një pjesë e partive politike, të cilat thanë se veprimet e tilla janë të papranueshme dhe institucionet duhet të bëjnë gjithçka që të mos lejojnë dëmtimin e qëndrueshmërisë në vend.
XS
SM
MD
LG