Lidhje

Kosovë: Ndërron jetë deputetja Nekibe Kelmendi


Kosovë: Ndërron jetë deputetja Nekibe Kelmendi
Kosovë: Ndërron jetë deputetja Nekibe Kelmendi

Në Prishtinë sot u varros, deputetja e Parlamentit të Kosovës, Nekibe Kelmendi e cila mbrëmë ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë. Gjatë ditës në Prishtinë janë bërë homazhe dhe mbledhje përkujtimore në nderim të së ndjerës e cila për një kohë të gjatë ishte funksionare e lartë politike dhe veprimtare për të drejtat dhe liritë e njeriut. Udhëheqës të lartë politikë të Kosovës e vlerësuan Nekibe Kelmendin si pjesë të historisë së Kosovës. Në mbledhjet përkujtimore të Parlamentit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u tha mes tjerash se e ndjera Kelmendi dhembjes së madhe familjare i është përgjigjur me punë për të mirën e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Nekibe Kelmendi i shumë Kosovës, dhe popullit të saj. “Vizioni i saj mbeti - Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, tha presidentja Jahjaga.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e vlerësoi të ndjerën si shembull të punës e angazhimit në të gjitha përbërjet e deritashme të Parlamentit të Kosovës.”Nekibe Kelmendi do të kujtohet për kontributin që ka lënë në shumë fusha të angazhimit të saj jetësor. Kontribuoi shumë në fushën e drejtësisë, ku një angazhim të veçantë pati në fushën e të drejtave të njeriut. Do të mbahet mend si njeri, si nënë, si bashkëshorte që dhimbjen e madhe njerëzore kërkoi ta mund me angazhim të përditshëm për vendin dhe familjen e saj”, tha zoti Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, tha se vdekja e Nekibe Kelmendit ishte humbje e madhe për këtë parti, por edhe gjithë Kosovën. “Ne po e nderojmë sot gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi ia dhuroi fëmijët e dashur të saj, në lulen e rinisë, bashkëshortin e saj, që këtij vendi ia dhuroi dijen dhe përkushtimin e saj, ia fali forcën e saj mbinjerëzore, gruan që tërë jetën u shqua për dinjitet dhe stoicizëm”, tha zoti Mustafa.

E lindur 67 vjet më parë në Pejë, Nekibe Kelmendi, për një kohë të gjatë ushtroi detyrën e gjykatëses dhe avokates. Në fund të viteve të 80-ta ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në mars të vitit 1999 bashkëshorti i saj Bajram Kelmendi veprimtar i njohur për të drejtat e njeriut dhe avokat si dhe dy djemtë e saj u ekzekutuan nga forcat serbe.

Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 200, ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse përveç postit të deputetes, ajo ka qenë edhe ministre e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës. Ishte pjesëmarrëse edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Vdekja e gjeti në detyrën e deputetes së Parlamentit të Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG