Pas më shumë se 12 orë qëndrimi në rrugë, lëvizja Vetëvendosje i dha fund protestës në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë, në veri të Prishtinës. Më herët ajo kishte shpallur të përfunduar protestën tek Dheu i bardhë, vendkalimi tjetër në lindje të Kosovës. Temperaturat e ulta bënë që pjesëmarrja në të dyja rastet të zvogëlohet, ndërsa veprimtarët e kësaj lëvizjeje thanë se për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik dhe temperaturës së ultë që po mbizotëron, është bërë i pamundur qëndrimi i sigurt i protestuesve.
Ata thanë se policia kishte konfiskuar, tendat, batanijet e ushqimet e përgatitura për protestuesit dhe udhëheqësit e lëvizjes, siç thuhet, në shenjë përgjegjësie për mirëqenien e protestuesve, kanë kërkuar shpërndarjen e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje edhe dje u hodh në protesta duke synuar të bllokojë vendkalimet kufitare me Serbinë për të mos lejuar hyrjen e mallrave të saj në Kosovë. Me moton “Serbia nuk kalon”, protestuesit bënë thirrje për vendosjen e masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë. Ndryshe nga 14 janari pjesëmarrja ishte më e madhe, mirëpo protesta kaluan pa ndonjë incident.
Një javë më parë mbi 50 persona u lënduan, ndërsa 150 veta u arrestuan gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestat e lëvizjes Vetëvendosje, e cila akuzoi qeverinë për moszbatim të vendimeve të Parlamentit dhe për dhunë ndaj protestuesve, shqetësime që ishin ngritur edhe nga organizatat humanitare.
Autoritetet u zotuan se do të hetojnë çdo rast të mundshëm të përdorimit të forcës së tepruar.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se protestat janë në funksion të mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe prodhimit vendas dhe se ato duan të nxisin zbatimin e masave të ndërsjella me Serbinë.
Protestat u cilësuan të panevojshme nga qeveria e Kosovës e cila bëri thirrej që çështjet e hapura të diskutohen në kuadër të institucioneve.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ndryshoi qëndrimin e saj pavarësisht se të premten Parlamenti i Kosovës miratoi një mocion me të cilin u shfuqizua mocioni i 7 dhjetorit që detyronte qeverinë të zbatojë reciprocitet të plotë me Serbinë.
Drejtuesit e vetëvendosjes thanë pas përmbylljes së protestave se ato do të vazhdojnë edhe në forma të tjera, ndërsa kanë paralajmëruar mundësinë që çështjen e mocionit mbi reciprocitetin me Serbinë ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.