Lidhje

Thaçi - Tadiç, shtrëngim duarsh në Dubrovnik


Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish presidenti Boris Tadiç morën pjesë në konferencën "Samiti i Kroacisë 2012"

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, janë takuar shkurt sot në Dubrovnik të Kroacisë. Në përmbyllje të konferencës "Samiti i Kroacisë 2012", ata kanë shtrënguar duart, në një nga rastet e rralla në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi, e ka cilësuar pjesëmarrjen e ish presidentit serb Boris Tadiç në këtë Samit, ku Kosova është prezantuar si shtet, si “një hap të mirë për pranimin e realitetit të ri në Kosovë nga shteti i Serbisë”.

Ai është shprehur i gatshëm të marrë pjesë në çdo konferencë ku Kosova prezantohet si shtet dhe të takohet me secilin pjesëmarrës në këto konferenca që nxisin bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë edhe udhëheqësit aktual të Serbisë.

Ndërsa, ish presidenti serb, Boris Tadiç, u tha mjeteve serbe të informimit se “shtrëngimi i duarve me kryeministrin e Kosovës nuk ka domethënie historike, por është gjest i mirë, për shkak se dy popujt kanë probleme që duhet t'i zgjidhin”.

Për shkak të pranisë së kryeministrit të Kosovës, asnjë zyrtar i pushtetit aktual në Serbi nuk ka marrë pjesë në këtë konferencë, njësoj sikundër kishte vepruar edhe ish presidenti serb në të kaluarën.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe zëvendës sekretari i shtetit Philip Gordon, i cili ndodhet për një vizitë në rajon në kuadër të së cilës pritet të qëndrojë edhe në Kosovë. Ai i bëri thirrje Serbisë që të pranojë "realitetin" e pavarësisë së Kosovës.

"As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Megjithatë, Serbia do të duhet të kuptojë realitetin se Kosova është një vend demokratik, sovran, i pavarur e shumetnik brenda kufijve aktualë. Ndarja nuk është një mundësi”, ka deklaruar zoti Gordon.
XS
SM
MD
LG