Lidhje

Kosovë: KFOR-i kontrollon vendkalimet kufitare në veri


Kosovë: KFOR-i kontrollon vendkalimet kufitare në veri
Kosovë: KFOR-i kontrollon vendkalimet kufitare në veri

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, thanë se kanë marrë përgjegjësinë për dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës, pas incidenteve të mbrëmshme gjatë të cilave u dogj posta kufitare në Jarinë.

Në një njoftim të këtyre forcave thuhet se vendkalimi në Jarinë është mbyllur. “Infrastruktura është rëndë e dëmtuar dhe do të mund të shembet dhe paraqet rrezik për njerëzit. Automjete të vogla private mund të kalojnë kufirin duke marrë rrezikun mbi vete. Megjithatë, do të kontrollohen nga KFOR-i dhe bastisen për armë dhe gjëra tjera të ndaluara. Kamionët nuk janë të lejuar të futen. Në vendkalimin tjetër në Bërnjak kontrollimet janë po ashtu shumë të rrepta për shkak të sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Paqeruajtësit thanë se po vazhdon “zbarkimi i trupave në tërë veriun në mënyrë që të mbajë një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe posaçërisht për të respektuar rreptësisht lirinë e lëvizjes”.

KFOR-i është zotuar se “do të hetohen krimet, dhuna, djegiet dhe të shtënat që ndodhën ditën e djeshme. Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhad Buhler me mbështetje të plotë të autoriteteve të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare do të vazhdojë të qëndrojë i përkushtuar që të ruajë paqen dhe sigurinë në Kosovë, posaçërisht në veri”, thuhet në komunkatë nëprmjet së cilës falënderohen qytetarët që nuk janë përfshirë në veprimet e dhunshme.

Situatën e vlerësoi të qetë por me tensione të herëpashershme edhe qeveria e Kosovës, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës “që të kenë besim në institucionet e vendit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të ruajnë qetësinë”.

Dënohet dhuna në veri

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton e ka dënuar dhunën në veri të Kosovës, duke nënvizuar se “zhvillimet e fundit janë të papranueshme”.

Në një komunikatë të zyrës së saj thuhet se “është përgjegjësi e Beogradit dhe e Prishtinës që menjëherë t’i zbusin tensionet dhe të vendosin rendin dhe sigurinë për të gjithë. Dhuna kurrë nuk do të tolerohet, ndërsa veprimet e njëanshme nuk janë rruga për të ecur përpara”.

Dhuna në veri është dënuar edhe nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Faith i cili citohet të ketë thënë se “çdo akt i dhunës dhe frikësimit nga cilado palë është i papranueshëm dhe duhet të kundërshtohet”. Në një komunikatë të zyrës së tij thuhet se “askush nuk do të fitojë ndonjë përparësi përmes veprimeve të tilla. Të shtënat fatale kundër një polici dhe veprimet e tjera që sfidojnë sundimin e ligjit duhet të dënohen në mënyrën më të fuqishme”. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë”.

Dënimit i është bashkuara edhe kryesuesi i radhës së OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë Audronius Azubalis. Në një komunikatë të kësaj organizate thuhet se “veprimet e tilla rrisin tensionet dhe dobësojnë frymën e bashkëpunimit që është e domosdoshme për përparim”. Ai u ka bërë thirrje të gjitha palëve “që të punojnë me KFOR-in dhe EULEX-in që të ruajnë një mjedis të qetë dhe të sigurt“.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se posta kufitare në fshatin Jarinë në kufirin me Serbinë, është djegur nga “grupe kriminale të udhëhequra nga strukturat paralele serbe dhe të motivuara nga Beogradi”.

Djegia është dënuar edhe nga autoritetet e Beogradit të cilat kundërshtuan pohimet se qeveria serbe qëndron prapa këtyre veprimeve. Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, citohet të ketë thënë se “huliganët që nxisin dhunë, nuk janë ata që i mbrojnë as qytetarët e as shtetin serb”.

Ndërsa qeveria e Serbisë nëpërmjet zëdhënësit të saj Milivoje Mihajlovic ka bërë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje nga aktet e dhunës.

Qëndrimi i qeverisë së Serbisë është që të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut. Dhuna, nga cilado anë qoftë nuk është rrugë për zgjidhje. Për ne dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve në Kosovës, për qëndrueshmërinë në rajon dhe për pajtimin historik ndërmjet serbeve dhe shqiptarëve”, ka deklaruar ai.

Dënimeve i është bashkuar edhe Partia e Pavarur Liberale serbe e cila nëpërmjet një komunikate ka theksuar se, siç thuhet veprat e huliganëve dhe kriminelëve nuk i kontribuojnë paqes në Kosovë.

Çfarëdolloj sulmi mbi institucionet që mbrojnë rendin publik dhe paqen, është i papranueshëm në rrethanat e sapokrijuara”, thuhet në komunikatën e kësaj partie që është pjesë e institucioneve të Kosovës.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton sonte për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka pranuar kërkesën e Serbisë për një takim urgjent në lidhje me situatën aktuale në Kosovë. Debati pritet të mbahet me dyer të mbyllura dhe jo në një sesion të hapur sikurse kishte kërkuar Beogradi.

Në takimin e sontëm pritet që të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Kosovës.

Parlamenti i Kosovës – seancë e jashtëzakonshme për gjendjen në veri

Parlamenti i Kosovës debatoi sot një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen e në veriun e Kosovës. Duke folur para deputetëve, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se nuk do të ketë kthim prapa dhe qeveria e tij është e vendosur të çojë deri në fund synimet e saj për të vendosur rendin e ligjin në gjithë Kosovën.

Ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është detyra jonë parësore. Për këto parime nuk do të ketë kompromis”, tha kryeministri Thaçi.

Me shumicë votash , Parlamenti miratoi një rezolutë me të cilën i jepet mbështetje qeverisë, për vendosjen e rendit në veri, ndërsa i bëhet thirrje pranisë ndërkombëtare të luajë rolin e saj në ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Një pjesëtar i policisë u vra në një sulm të armatosur ndaj njësive të posaçme në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat veriore me shumicë serbe.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta.

XS
SM
MD
LG