Në Prishtinë, autoritetet thanë se po hetojnë shkaqet e një incidenti që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë pas një loje basketbolli, gjatë të cilit dy pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një qytetar janë plagosur.
Incidenti ndodhi pas përfundimit të ndeshjes së basketbollit ndërmjet ekipit “Sigal Prishtina” dhe ekipit serb nga Mitrovica, “Bambi”, që është i vetmi ekip sportiv serb që merr pjesë në organizimet sportive të Kosovës.
Policia tha se përveç të plagosurve janë shkaktuar dëme materiale edhe në pesë makina zyrtare dhe tri private.
Sipas policisë “tifozët gjatë largimit nga salla ku ishte zhvilluar loja, kanë filluar të brohorasin edhe parulla fyese dhe kanë hedhur gjësende të ndryshme duke dëmtuar pjesë ose dritare të objektit të Pallatit të Rinisë dhe sporteve në Prishtinë.
Kjo ka pasuar ndërhyrjen e policisë”. Mirëpo nuk është e qartë nëse ndërhyrja e cila është bërë nga një njësit i policisë që kishte ardhur nga Mitrovica, ishte ndërhyrje që kishte shkelur zinxhirin komandues të policisë.
Autoritetet kanë urdhëruar hartimin e një raporti të qartë që do të sqaronte rrethanat në të cilat kanë ndodhur përplasja ndërmjet policisë dhe tifozëve.