Në veriun e Kosovës, rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare më Serbinë, vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga grupe serbësh, ndërsa vendkalimet janë nën kontrollin e forcave paqeruajtëse. Forcat e NATO-s hoqën dorë mbrëmë nga synimi për të larguar pengesat në rrugë, në funksion të siç u tha, shmangies së gjakderdhjes. Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Buhler tha se kishte vendosur të mos përdorë forcën duke pritur që serbët të largohen prej andej dhe të mos pengojnë lëvizjen e lirë të forcave të tij.
Përfaqësuesit e serbëve thanë se nuk do të largohen nga bllokadat e vendosur që të hënën, kur njësitë e posaçme të policisë së Kosovën vunë nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë. Një pjesëtarë i këtyre njësive humbi jetën gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat veriore me shumicë serbe.
Grupe serbësh i vunë flakën njërit prej vendkalimeve kufitare ndërsa shtinë me armë zjarri edhe ndaj forcave të KFOR-it, të cilat morrin nën kontroll postat kufitare duke i shpallur ato zona të kufizuara ushtarake. Pjesëtarët e këtyre forcave kanë paralajmëruar përdorimin e forcës në rast të përpjekjeve për të sulmuar vendkalimet.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se posta kufitare në fshatin Jarinë në kufirin me Serbinë, është djegur nga “grupe kriminale të udhëhequra nga strukturat paralele serbe dhe të motivuara nga Beogradi”.
Beogradi akuzoi grupet ekstremiste për djegien e postës kufitare, ndërsa presidenti i Serbisë Boris Tadic tha se “strukturat kriminale në Kosovë të lidhura edhe me serbët edhe me shqiptarët janë përgjegjëse për djegien e pikës kufitare në Jarinë”.
Parlamenti i Serbisë ndërkaq po debaton sot për gjendjen në veri duke fajësuar Prishtinën por edhe forcat ndërkombëtare në Kosovë për situatën e ditëve të fundit. Beogradi kërkon kthimin e gjendjes së mëparshme në vendkalimet kufitare.
Kjo është hedhur poshtë nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha edhe sot se nuk do të ketë kthim prapa.
“Që nga 25 korriku, Kosova ka hapur një kapitull të ri që bazohet në respektim të ligjit dhe të sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit. Nuk mund as të mendohet që të bëjmë ndonjë hap mbrapa”, tha ai.
Komentet e kryeministrit Thaçi pasuan një takim me shefin e EULEX-it Xavier Bout de Marnhac, i pari që nga dërgimi i njësive të posaçme të policisë në veri që nuk ishte mbështetur nga ky mision. Kryeministri Thaçi tha se vendosja e rendit dhe ligjit në veri të vendit komunitetit serb që jeton atje, por është në funksion të dhënies fund të krimit dhe kontrabandës së papenguar të 12 viteve të fundit.
“Komuniteti ndërkombëtar, miqtë tanë evropian dhe SHBA-të, gjithmonë e kanë ditur se ne nuk do të mund të jemi indiferent dhe përjetësisht të tolerojmë që një pjesë e territorit tonë të jetë vrimë e zezë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës. Durimi ynë është edhe keqkuptuar dhe keqpërdorur. Së fundi, ne me vendosmërinë tonë kemi arritur t’i japim fund status quos së hidhur, e cila e ka mbajtur peng jetën normale të qytetarëve që jetojnë në veri, dhe për më tepër ka mbajtur peng të ardhmen euro-atlantike të Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Thaçi e kishte kritikuar ashpër EULEX-in për mosmbështetje të operacionit të policisë së Kosovës, duke i bërë thirrje atij që të respektojë Kushtetutën e Kosovës në tërë vendin. Sot ai u shpreh i sigurt se EULEX do të bëj veprime konkrete në të ardhmen të cilat janë në përputhje të plotë me vetë mandatin e misionit dhe me Kushtetutën e Kosovës.
Ndërsa shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, shpehu shqetësimin për situatën në veri, ndërsa e cilësoi të papranueshëm faktin se “civilët e pafajshëm, KFOR-i dhe EULEX-i janë sulmuar gjatë ditëve të fundit”, duke nënvizuar se nuk do të tolerohet asnjë formë e dhunës dhe frikësimit.
“Sot në mëngjes pata takim me gjeneralin Buhler, dhe kemi rënë dakord që EULEX-i dhe KFOR-i do të punojnë së bashku për të rivendosur lirinë e lëvizjes. Çdo rezistencë ndaj lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës është e paligjshme dhe nuk do të tolerohet, dhe unë kërkoj nga të gjithë njerëzit të i shmangen përfshirjes në akte të tilla”, tha zoti de Marnhca, duke e siguruara kryeministrin Thaçi se Misioni i tij i respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Ai tha se e vetmja rrugë përpara në gjetjen e një zgjidhje për situatën aktuale është nëpërmjet dialogut. Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta. Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, do të dërgojë në fillim të javës së ardhshme diplomatin britanik Robert Cooper në Beograd dhe Prishtinë, për të shqyrtuar rrugët e rifillimit të bisedimeve në funksion të siç thuhet, shmangies së përkeqësimit të mëtejmë të situatës në veri.