Sot edhe zyrtarisht filloi fushata dhjetëditëshe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, të parat të këtij lloji në Kosovë. Dita e parë ka kaluar pa ndonjë problem dhe nën thirrjet për respektimin e Kodit të Mirësjelljes i nënshkruar pothuajse nga të gjitha partitë politike.
Janë gjithsej 29 subjekte politike me mbi 1 mijë e 300 kandidatë që konkurrojnë për 120 vende në Parlamentin e Kosovës, ku 20 vende janë të rezervuar për pakicat kombëtare.
Në mesin e 29 subjekteve politike janë edhe tetë syresh nga radhët e komunitetit serb të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në votime me gjithë pohimet e Beogradit se nuk ka kushte për një gjë të tillë.
Ndonëse koha e shkurtër dhe natyra e këtyre zgjedhjeve kishte nxitur shqetësime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pohon se ka bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar mbarëvajtjen e tyre. Tashmë mbi 150 vëzhgues ndërkombëtarë janë regjistruar për të mbikëqyrur votimet e 12 dhjetorit të cilat do të vëzhgohen edhe nga rreth 5 mijë vëzhgues vendas.
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se do të organizojnë zgjedhje edhe në veriun e banuar me shumicë serbe skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës dhe rrjedhimisht edhe institucioneve të saj.