Lidhje

Kosovë: EULEX-i thërret Dick Marty-in të dëshmojë në rastin “Medicus”


Një trup gjykues i drejtuar nga EULEX-i, ka vendosur të thërras raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, si dëshmitar në një proces gjyqësor për trafikim organesh njerëzore.

Në Prishtinë, aktualisht po zhvillohet procesi gjyqësorë ndaj shtatë personave nën dyshimet për trafikim organesh dhe transplantim të paligjshëm të tyre. Ata akuzohen për kryerje të veprës mjekësore të jashtëligjshme, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.

Sipas prokurorëve të EULEX-it, të akuzuarit kanë qenë të përfshirë në rekrutimin e 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë. Rasti u bë i njohur me emrin “Medicus”, sipas klinikës private ku pretendohet të jenë kryer këti veprime.

Kryetari i trupit gjykues Arkadiush Sedek, gjykatës nga Polonia ka deklaruar se “Dick Marty pretendon e se ka disa informata të rëndësishme për këtë çështje, prandaj do të kërkohet që ai të tregojë se çfarë lloj të informacioneve ka dhe cilat janë burimet e këtyre informacioneve”.

Mbrojtja e të akuzuarve, ka kundërshtuar vendimin e gjykatës duke nënvizuar se përfshirja e zotit Marty, do t’i jap kahje politike procesit i cili nuk ka të bëjë me pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës.

Në fund të vitit 2010, Dick Marty ngriti pretendimet se pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, mund të ishin përfshirë në në krim të organizuar dhe trafikim të organeve njerëzore gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Sipas pretendimeve të tij, kjo mund të kishte ndodhur në vendqëndrimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shqipëri.

Kosova dhe Shqipëria kanë hedhur poshtë këto pretendime, ndërsa janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për ndriçimin e tyre.

XS
SM
MD
LG