Rrjedhoja e parë e vendimit të mbrëmshëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas së cilës vendimi i Parlamentit të Kosovës, për zgjedhjen e Presidentit, është jo kushtetues, ishte ndryshimi i agjendës së zyrtarëve të lartë dhe anulimi i takimeve të parapara. Ende nuk janë dhënë hollësi rreth këtij vendimi i cili zyrtarisht pritet që nesër t’u dërgohet palëve të interesuara. Nuk ka pasur një reagim të kabinetit të presidentit apo të partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët në paralajmërimet e deritashme kanë theksuar se janë të gatshëm të përballen me Gjykatën Kushtetuese.
Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese nuk saktësohet se çfarë do të jetë rrjedhoja e këtij vendimi dhe nëse do të ketë një rivotim të presidentit aktual apo duhet të zgjidhet një president i ri. Po ashtu nuk dihet nëse presidenti Pacolli duhet të jap dorëheqjen apo duhet të shkarkohet. Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti tha sot se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të veprojnë në pajtim me vendimet e gjykatës kushtetuese.
“Unë nuk di se cili është qëndrimi i presidentit, a do të japë dorëheqje apo do t’ia lë Parlamentit të Kosovës që të merret me këtë çështje. Unë nuk mund ta detyroj askënd që ta paraqesë dorëheqjen, por në bazë të Kushtetutës, nëse ai nuk e paraqet dorëheqjen, atëherë Kuvendi duhet të ndërmarrë hapa konkret”, tha zoti Haliti.
Opozita ndërkaq e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Kosova nuk ka president dhe çdo vendim që është marrë gjatë kohës sa zoti Pacolli ishte në këtë post, duhet të shfuqizohet.
“Opsioni i Kuvendit është që të sillet një kandidat i ri apo i njëjti për zgjedhjen e tij, këto janë opsione kushtetuese. Opsioni i dytë është që të provohet të gjenden modalitete dhe zgjedhje tjera, qoftë për ndryshimin e formulave, apo për çka do qoftë tjetër dhe, në këtë rast, kemi afat 6 muaj. Do të thotë edhe 6 muaj do të kemi ushtrues të detyrës së presidentit që do të jetë prapë zoti (Jakup) Krasniqi dhe pas 6 muajsh, nëse nuk gjejmë zgjidhje dhe nuk e zgjedhim presidentin, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja”, theksoi zoti Gjini
Rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë reaguar shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, dhe komisionari për zgjerim, Stefan Fyle. Në një komunikatë të përbashkët ata thonë se respektojnë vendimin e gjykatës më të lartë të Kosovës, ndërsa presin nga të gjitha palët të punojnë për një zgjidhje konstruktive dhe sipas procedurave të brendshme.
Zgjedhja e presidentit pasoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Aleancës Kosova e Re të presidentit Behgjet Pacolli për krijimin e koalicionit qeverisës. Kjo marrëveshje, e cila ka nxitur mospajtime edhe brenda Partisë Demokratike, është kundërshtuar nga opozita.
Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështje që kanë të bëjnë me presidentin e vendit. Herën e parë një vendim i tillë kushtëzoi zgjedhjet e parakohshme në vend. Në shtator të vitit të kaluar ajo nxori përfundimin se ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kishte shkelur kushtetutën duke mbajtur dy poste njëherësh, atë të presidentit të vendit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas atij vendimi, presidenti dha dorëheqje, duke krijuar një situatë të re politike që u pasua nga zgjedhjet e parakohshme.
A mund të ndodhë njësoj edhe kësaj radhe është vështirë të thuhet, meqë askush nga ekspertët nuk ka pranuar të komentojë rrjedhojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.