Lidhje

Kosovë, digjet makina e një polici serb


Kosovë, digjet makina e një polici serb
Kosovë, digjet makina e një polici serb

Zyrtarë të policisë së Kosovës thanë se një makinë, pronë e një pjesëtari të kësaj policie është djegur në rrethana të pasqaruara në veriun e vendit, i banuar me shumicë serbe. Një zëdhënës i policisë tha se makina ishte pronë e Zoran Radunoviçit, zëvendëskomandant i policisë kufitare në komunën e Lepoasaviqit në veri. Ai tha se rasti është cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa tash për tash nuk dihen motivet e sulmit e as autorët e mundshëm të tij.

Sulmi ka ndodhur pak ditë pasi Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, urdhëroi konfiskimin e targave të automjeteve të banorëve serbë, të lëshuara nga autoritetet e Beogradit. Dy ditë më parë është pezulluar përkohësisht nga puna komandanti i policisë së Kosovës në komunën e Zvecanit e banuar me pjesëtarë të komunitetit serb, pas refuzimit të tij për të zbatuar urdhrin e ministrit.

Ditë më parë, autoritetet serbe filluan lëshimin e targave të reja duke përfshirë edhe Kosovën gjë që nxitit reagimin e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, e cila e cilësoi këtë veprim si shkelje e sovranitetit të Kosovës. Ndërsa autoritetet serbe thanë se urdhri për konfiskimin e tyre është dëshmi e mosgatishmërisë së Prishtinës për të debatuar zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

Çështjet si ajo e targave të makinave do të duhej të ishin pjesë e bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet të dyja palëve, fillimi i të cilave varet nga themelimi i institucioneve të reja të Kosovës. Por rrjedha e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë të cilat po zvarriten për shkak të parregullsive do ta shtyjë fillimin e mundshëm të këtyre bisedimeve, të paktën deri në pranverë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG