Lidhje

Kosovë: Autoritetet kundërshtojnë çdo synim për ndarjen tokësore të vendit


Kosovë: Autoritetet kundërshtojnë çdo synim për ndarjen tokësore të vendit
Kosovë: Autoritetet kundërshtojnë çdo synim për ndarjen tokësore të vendit

Në Kosovë, autoritetet kanë shprehur sot kundërshtimin e tyre ndaj çdo synimi për ndarjen tokësore të Kosovës. Këto komente pasuan deklaratat e Ministrit serb të Punëve të Brendshme Ivica Daçiç, i cili ka theksuar se ndarja është zgjidhje për problemin e Kosovës. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se për të ardhmen e vendit vendosin qytetarët e saj dhe partnerët ndërkombëtarë.

Autoritetet në Prishtinë hodhën sërish sot poshte çdo mundësi për ndarjen tokësore të Kosovës. Këto komente pasuan deklaratat e Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë Ivica Daçiç, sipas të cilit serbët e Kosovës duhet ti bashkohen Serbisë, ndërsa pjesa tjetër të ndahet nga Serbia, edhe pse sipas tij, kjo nuk i pëlqen, as Beogradit e as Prishtinës. Ai i ka quajtur “sterile” bisedimet e nisura në Bruksel ndërmjet Beogradit e Prishtinës, pasi që sipas tij, do të kalojnë vite e dekada dhe nuk do të arrihet asgjë nëpërmjet tyre. Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi, thotë se për të ardhmen e Kosovës vendosin qytetarët e saj dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Asnjëherë Serbia nuk ka mundur të vendos për Kosovën, por për Kosovën vendosin qytetarët e saj dhe partnerët tanë ndërkombëtarë Brukseli dhe Washingtoni. Vullnetet e Serbisë kanë sjellë luftëra, gjenocide dhe shenja të pakënaqësisë në rajon. Unë duhet të besoj se ata do të ndryshojnë kapitullin nga koha e konfrontimeve në kohën e bashkëpunimeve.”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Kosova shpalli pavarësinë ne shkurt të vitit 2008 dhe është njohur nga 75 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Por, pavarësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia, me të cilën Kosova, ka filluar një raund bisedimesh për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sërish gjatë dy ditëve të ardhshme në Bruksel në raundin e katërt të bisedimeve, të cilat siç thuhet, do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, të trashëgimisë kulturore dhe njohjes së diplomave shkollore dhe universitare. Në takimin e radhës, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Robert Kuper pritet t’u paraqes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit një kuadër të një marrëveshjeje që ka të bëjë me telekomunikacionin, energjinë dhe lëvizjen e lirë, tema këto që janë shtruar tashmë në bisedime ndërmjet të dyja palëve.

Në Prishtinë, opozita thotë se bisedimet janë në favor të Serbisë dhe Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre në këtë periudhë kur Beogradi refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës dhe kontrollon një pjesë të territorit të saj me strukturat paralele. Por, udhëheqësit e qeverisë besojnë se fundi i bisedimeve do të shënojë edhe një hap drejt forcimit të paqes në rajon.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG